Një mijë fluturime për dhe nga aeroportet italiane janë anuluar sot për shkak të grevës së stafit tokësor që kërkon rinovimin e marrëveshjes së tyre kolektive.
Rreth 250,000 udhëtarë, për destinacione vendase dhe ndërkombëtare, janë prekur nga mobilizimi i stafit të shërbimit tokësor, i cili është planifikuar nga ora 10:00 deri në orën 18:00 (koha lokale) pas një apeli nga sindikata e tyre.
Ata kërkojnë nënshkrimin e një marrëveshjeje të re kolektive, e cila ka skaduar gjashtë vite më parë.
Rreth 200 fluturime u anuluan në aeroportin Fiumicino-Leonardo Da Vinci në Romë, kryesisht në Kopenhagë, Stokholm, Barcelona ose Palma de Mallorca, si dhe Palermo ose Catania në Siçili.
Veçanërisht e prekur është Malta Air, e cila operon linjat në emër të Ryanair, Ita Airways (ish Alitalia) dhe Vueling, pilotët e të cilëve kanë vendosur t’i bashkohen mobilizimit.
Pothuajse 150 fluturime u anuluan në dy aeroportet e Milanos, Linate dhe Malpensa, rreth tridhjetë në Torino-Casele dhe po aq në Palermo.
Ministri i Transportit Matteo Salvini u kërkoi grevistëve që të mbizotërojë “arsyeja e shëndoshë” dhe të mos zgjasin mobilizimet e tyre në mënyrë që “të mos dëmtohen miliona punëtorë dhe turistë të tjerë”.