Italia po mendon të vendosë masa të reja shtrënguese në të gjithë vendin gjatë festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, pas shqetësimeve në rritje për një valë të re infektimesh, në muajin janar.
Pas lehtësimit të disa masave që ishin vendosur muajin e kaluar, u vu re një fluks njerëzish në dyqane dhe qendra tregtare, në një kohë kur viktimat prej koronavirusit arritën nivelet më të larta që nga nisja e pandemisë.
Të shtunën, Italia kaloi dhe Britaninë e Madhe si vendi europian me numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi.
Sipas të dhënave nga mediat, qeveria italiane pritet të vendosë masat shtrënguese të zakonshme për “zonat e kuqe” në të gjithë vendin që nga data 24 dhjetor, duke zgjatur orarin e ndalimqarkullimit dhe ndalimin e lëvizjeve jo të domosdoshme. Gjithashtu, do të mbyllen lokalet, dyqanet dhe restorantet në fundjave dhe për pushime, me përjashtim të atyre që shesin produktet esenciale.
Vendimi pritet të merret të hënën, pas takimit që kryeministri Conte do të zhvillojë me ministrat e kabinetit dhe komitetin shkencor, që e ka këshilluar qeverinë që nga nisja e pandemisë.
A2