Italia eliminon Belgjikën dhe shkon në gjysmëfinalen e Euro 2020

0
171

Italia vijon të mahnisë e të prodhojë një futboll të bukur. Skuadra e Mancinit është në gjysmëfinalen e Kampionatit Europian pasi mundi 2-1 Belgjikën në një sfidë plot emocione dhe drithërima.Në “Allianz Arena”, u luajt një nga ndeshjet më spektakolare të Euro 2020 dhe mëkat që njëra nga keto dy skuadra duhet të eliminohet.Sfida nisi më mirë për Belgjikën që krijoi menjëherë disa raste të rrezikshme me Tielemans dhe De Bruyne ndërkohë që Bonuccit i anulohet një gol për pozicion të parregullt.

Kur dukej se Belgjika po dominonte me raste, me tentativat e De Bruyne dhe Lulakut, vjen goli i të kaltërve në momentin më të mirë të “Djajve të kuq”.

Në 31′, Barella merr një top nga Verratti dhe mjeshtërisht kalon dy kundështar për ta çuar topin në cepin e portës, 1-0 për Italinë që tregohet e qetë por përfiton sërish kur Insigne shënon një supergol në 44′.

Nuk mbaron këtu pjesa e parë pasi vetëm dy minuta më pas, Belgjika rihap ndeshjen pas një penalltie të shënuar nga Lulaku e të fituar nga Doku.

Një spektakël i vërtetë kjo ndeshje dhe fraksioni i dytë i ndeshjes vijon të ketë emocione të forta.

Në 60′, Spinazzola shpëton një gol të sigurtë të Lukakut i cili shtyn topin drejt rrjetes por para se të shkojë në portë e devijon mbrojtësi.

Në 71′ sërish Lukaku provon por topi largohet nga mbrojtja e kaltër ndërsa në 84′ Doku frikëson me një gjuajtje nga larg dhe që kalon ngjitur me traun.

Pavarësisht tentativave, në fund është Italia që rikthehet në një gjysmëfinale të Europianit dhe do të përballet me Spanjën në një tjetër duel emocionues.

Ora news