Italia kërkon të investojë në Shqipëri për të reduktuar varësinë nga gazi rus

0
148

Rreth 95% e furnizimit me gaz në Itali vjen nga importi dhe gazi rus zë gati gjysmën e vëllimit të tij.

Varësia e furnizimit të konsumit kombëtar nga importi ka detyruar qeverinë italiane të hartojë një plan strategjik pune pjesë e të cilit është dhe Shqipëria.

Ministri i Trazicionit teknologjik, Roberto Cingolani gjatë relacionit të tij në Parlamentin Italian ka deklaruar se një mundësi e mirë për të reduktuar varësinë nga gazi rus është “rritja e importit të tij nga gazsjellësi TAP me rreth 10 miliardë metra kub gaz në vit.”

Aktualisht vëllimi maksimal i furnizimit përmes gazsjellësit Tap, në Itali është 8.5 miliardë metra kub gaz në vit e plani strategjik i qeverisë Draghi parashikon rritjen e menjëhershme të tij deri në 10 miliardë metra kub në vit dhe dyfishimin me 10 miliardë metra kub të tjera në një afat kohor më të gjatë.

“Kjo , tha ai, mund të arrihet përmes ndërhyrjes së menjëhershme në centralet e shtyrjes së gazit në Shqipëri e Greqi, duke e rritur me rreth 1.5 miliardë metra kub gaz në vit, e me kusht që në kohë të shkurtër të kemi vëllime të tilla shtesë nga Azerbaxhani.”

“Është e mundur, deklaroi ministri italian, të dyfishohet furnizimi me gaz në gazsjellësin TAP me rreth 10 miliardë metra kub gaz në vit.

“Për këtë duhet, tha minsitri Cingolani, një investim afatgjatë kohor 45 muaj përmes ndërhyrjeve në Shqipëri, dhe 65 muaj të tjerë për të rritur furnizimin me 8 miliardë metra kub përmes ndërhyrjeve si në Shqipëri e Greqi, dhe në linjën italiane.”

Rezervat e gazit italian në territorin kombëtar janë reduktuar drastikisht gjatë dy dekadave të fundit, për dy motive; për mungesë të investimeve dhe ezaurimit të burimeve natyrore, gjë që ka bërë që vëllimi i tij të ulet nga 15 miliardë metro kub më 2001 në 3 miliardë metro kub në 2021. Njëherësh është rritur importi i gazit rus nga 20 miliardë metra kub më 2011 në 29 miliardë metra kub më 2021.

Ministri i qeverisë Draghi ka deklaruar se duke nisur nga dimri i ardhshëm, e brenda 3 viteve, Italia do të përpiqet të evitojë varësinë nga gazi rus, e për këtë duhen masa strukturore për të paktën dy dimrat e ardhshëm e adoptimi i instrumenteve të domosdoshme e efikas në investimet e duhura.

Qeveria italiane ka aktivizuar misione diplomatike për të realizuar kontrata të reja furnizuese me burime energjitike me vendet Algeria, Katar, Nigeria, Kongo e Angola.

Pak ditë më parë Rusia, përmes Drejtorit të Departamentit të Çështjeve Europiane në ministrinë e Jashtme ruse, Alexei Paramonov, kërcënoi Italinë se “do të ketë pasoja të pakthyeshme, nëse do të vazhdojë të ndjekë rrugën e sanksioneve kundër Rusisë.