Një tjetër jaht luksoz rus i ankoruar në portet italiane është vënë nën masë sekuestrimi në bazë të sanksioneve të vendosura nga Institucionet Europiane ndaj oligarkëve rusë.
Autoritetet doganore e Kapiteneria e Portit të Imperias në Itali kanë vënë nën sekuestro jahtin “New Vogue”, i cili dyshohet të jetë në pronësi të oligarkëve rusë, pjesë e listës së zezë të Bashkimit Europian si persona që favorizojnë e financojnë regjimin e presidentit rus.
Ky mjet lundrues luksoz i gjatë rreth 30 metra ka një vlerë 3.3 milionë euro.
Sekuestrimi është bërë me urdhër të Prokurorisë së Imperias e pas hetimeve të autoriteteve italiane, shtrirë në të gjithë territorin kombëtar, për të aplikuar vendimet e Bashkimit Europian mbi sanksionet ndaj pasurive të shtetasve rusë, mbështetës të regjimit të Putin.
Prej mesit të muajit mars, ky mjet lundrues mbahej nën vëzhgim nga autoritetet italiane me dyshimin e largimit të tij nga Porti i Imperias e për t’i shpëtuar masës së sekuestrimit.