Iu hodhi molotov njerëzve në Kolorado, dalin pamjet nga sulmi

0
7

Tetë persona u dëmtuan në një sulm në Boulder, Kolorado, kur një burrë dyshohet se hodhi një pajisje shpërthyese në një turmë dhe bërtiti “Liri për Palestinën”. FBI-ja e trajton këtë ngjarje si një “akt terrorizmi”.

Burri 45-vjeçar, i identifikuar si Mohamed Sabry Soliman, dyshohet se hodhi pajisje zjarrvënëse në një grup njerëzish të mbledhur në një zonë këmbësore, ku po mbahej një protestë paqësore për lirimin e pengjeve izraelite në Gaza, sipas mediave të huaja.

“Është e qartë se ky ishte një akt i qëllimshëm dhune dhe FBI-ja po e trajton këtë si një akt terrorizmi”, tha Mark Michalek, agjent special i FBI-së, në një konferencë për shtyp, duke cituar dëshmitarët.

 

 

Shefi i policisë së Boulder, Stephen Redfearn, në fillim refuzoi ta quante incidentin një akt terrorizmi, duke thënë se ishte tepër herët për të spekuluar për motivet e agresorit. Ai bëri me dije se rreth orës 13:26 me orën lokale, policia mori njoftime për “një burrë me armë” pranë një gjykate në qendër të qytetit dhe se “njerëz po digjeshin”. Kur policia mbërriti në vendngjarje, ata gjetën persona me lëndime që dukeshin si djegie.

Redfearn tha se po hetohej një “automjet me interes” në vendngjarje dhe disa rrugë ishin bllokuar. Policia dhe skuadrat e specializuara të shpërthimeve vazhduan “pastrimin e zonës nga pajisjet e tjera të mundshme”.

Michalek theksoi se nuk ka prova që sulmuesi të ketë lidhje me ndonjë organizatë më të madhe.