Një ditë e zezë kjo për gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë dhe për të gjithë komunitetit. Humbja tragjike e 17-vjeçarit Leandro Shametaj, maturant i kësaj shkolle, ka sjellë dhimbje, lot dhe heshtje në çdo cep të mjediseve ku ai dikur qeshte e ëndërronte për të ardhmen.
Përmes një reagimi, shkolla ku i riu Shametaj studionte u ka përcjellë ngushëllime familjarëve të 17-vjeçarit të cilëve iu “shkëput” një pjesë e shpirtit të tyre.
“I trishtë lajmi për të gjithë ne. Një aksident me pasojë vdekje preu në mes ëndrrat e një maturanti, Leandro Shametaj, nxënës i gjimnazit ‘Ali Demi’. Ndajmë me familjen Shametaj dhe Dejvin dhimbjen e madhe për këtë humbje. Kujtimi i Leandros do të mbetet i gjallë në zemrat tona, të shokëve, mësuesve dhe të gjithë komunitetit tonë shkollor. Gëzo me engjëjt, Leandro!”, shkruhet në reagimin e shkollës.
Për të gjithë që e njihnin, Leandro ishte një djalë i qetë dhe punëtor. Ai ndiqte mësimet paradite, ndërsa në mbrëmje punonte kamarier për të ndihmuar familjen e tij.
Leandro Shametaj ishte vetëm 17 vjeç, me ëndrra që s’arriti t’i përmbushë. Mes lotëve, gjyshi i adoleshentit kërkoi drejtësi dhe ndëshkim për autorin që i preu jetën në mes nipit të tij.
“Mbrëmë në orën 12 të natës është aksidentuar djali i vajzës. Kemi 8 orë që presim te morgu se mjeku ligjor nuk vjen për të kryer veprimet. Jemi të shqetësuar se shteti po na kthen krahët. Nuk e dimë se ca shteti është ky që nuk punon për popullin. Një makinë me 200 km/h aksidentoi djalin dhe nuk kishte asnjë patrullë policie, as postobllok policie nuk i ka dalë para. Nuk e kam parë me sy. Djali im s’është kriminel. Ai hallexhi për bukën e gojës, po kthehej nga puna si kamarier. Vjen puna tjetri e vret”, tha gjyshi.
Policia e Vlorës më herët njoftoi se drejtuesi i automjetit tip “Porsche”, Halit Bajramaj, që shkaktoi aksidentin, është arrestuar dhe rezultoi se ishte në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes. Një fakt që ka shtuar zemërimin e qytetarëve ndaj mungesës së kontrollit dhe papërgjegjshmërisë në rrugë.
“Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Vlorë arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasin H. B., 32 vjeç, banues në Vlorë, pasi më datë 28.10.2025, rreth orës 00:15, në bulevardin “Ismail Qemali”, duke drejtuar automjetin tip “Porsche”, në gjendje të dehur, është përplasur me motomjetin tip “Trinity”, me drejtues një shtetas të mitur, 17 vjeç, i cili si pasojë, ka ndërruar jetë”, njoftoi policia më herët.


