Ja sa paguhen krerët e drejtësisë së re, në krye Dumani me 93 mijë euro në vit, Metani i fundit me 33 mijë euro, paga e Sadushit, Zaçajt dhe krerëve të KLP-KLGJ

0
2

Krerët e drejtësisë së re rezultojnë njerëzit më të paguar në piramidën e shtetit shqiptar, duke lënë pas Presidentin e Republikës, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe kryeministrin. Pagat e larta për drejtuesit e institucioneve të drejtësisë dhe magjistratët që kalonin Vetingun, u parashikuan me qëllim për të garantuar pavarësinë, por edhe integritetin e tyre, duke i bërë më imun ndaj ndikimeve të jashtme.

Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, i cili prej dy vitesh ka qenë në qendër të sulmeve të politikës, rezulton më i paguari, konkretisht deklaron rreth 93 mijë euro pagë vjetore.

Më pas vjen kreu i GJKKO, Erjon Bani, me rreth 88 mijë euro pagë në vit, deklaruar pranë ILDKPKI.

Zëvëndëskryetarja e Apelit të GJKKO, Saida Dollani deklaron rreth 59 mijë euro pagë në vit ose rreth 5 mijë euro pagë mujore.

Kreu i KPA, shkallës së dytë dhe të fundit të Vetingut, Sokol Çomo, paguhet me 56 mijë euro në vit.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj deklaron rreth 43 mijë euro pagë gjatë një viti.

Kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushaj deklaron rreth 43 mijë euro pagë vjetore.

Ndërkaq, kreu i ILD, Artur Metani, rezulton se paguhet me rreth 33 mijë euro në vit.

Ish kryetarja e KLGJ Naureda Llagami është paguar me rreth 46 mijë euro në vit. Në një vlerë të tillë është edhe paga e kryetarit aktual të KLGJ, Ilir Rusi.

Ish kreu i KLP, Alfred Balla, i shkarkuar nga Vetingu, ka deklaruar në ILDKPKI rreth 35 mijë euro pagë për vitin 2023, që do të thotë se edhe paga e kryetares aktuale të KLP, Mirela Bogdani është rreth 3 mijë euro në muaj.

Ndërkaq, prokurorët e SPAK paguhen me rreth 56 mijë euro në vit. Paga e agjentëve të BKH është sa 70 % e pagës së prokurorëve të SPAK. Krahas pagave të larta, njerëzit e drejtësisë së re gëzojnë edhe privilegje të tjera që nga strehimi tek mbrojtja, kompensimet etj., duke tejkaluar edhe deputetët.