Një zjarr masiv ka përfshirë ditën e sotme vend hedhjen e mbeturinave në qytetin e Vlorës.
Flakët janë përhapur në gjithë zonën, ndërsa ende nuk dihet se cili është shkaku i rënies së zjarrit
Sakaq, mësohet se zjarrfikësit janë nisur drejt vendngjarjes për të shuar flakët dhe për të ndalur përhapjen e tyre.
Zjarri i rënë në fushën e mbeturinave me ndihmën e erës është duke u shpërndarë pranë shtëpive, duke rrezikuar kështu disa banesa.
Një nga banorët ka treguar për gazetaren e FaxNews, Afrovita Hysaj, që kjo situatë është e përsëritur çdo verë. Ai shprehet i shqetësuar teksa tregon që flakët janë vetëm 200 metra larg, ku përreth një orë, janë duke u ‘mbytur’ nga tymi që del prej djegies së masivit të mbetjeve, ku përfshihen goma dhe mbeturina me kimikate të dëmshme.
Banori: Jemi gati 200 metra larg, na mbyti bloza. Sa herë që vjen behari, e njëjta gjë ndodh. Është jashtë mase shqetësuese, e sjell era vërdallë shtëpive, po na gropos. Ka rreth një orë kjo situatë.
Sipas banorëve djegia ka nisur një ditë më parë në disa pika të vogla të ndryshme. Vendosja e zjarrit në pikën e grumbullimit të mbeturinave të Vlorës, dyshohet të jetë e qëllimtë.