Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, foli shkurt përpara gazetarëve, duke theksuar se “jemi një parti dhe do të kemi një Kuvend”.
“Kuvendi Kombëtar do të mbahet më 18 dhjetor dhe jam krenar për vendimin e Kryesisë pas pothuaj 6 orësh diskutimesh, dua t’i falënderoj të gjithë, pavarësisht prej mendimeve apo votës së tyre, për përkushtimin që demonstruan dhe për legjitimimin e plotë të besimit që u kanë dhënë demokratët. Një parti, një kuvend më 18 dhjetor dhe e sigurt është që nuk do të lejoj askënd ta mbajë Partinë Demokratike peng”, tha Basha.
Ndërkohë, Grida Duma theksoi se sot ka pasur “debat politik” dhe shtoi se respekton këdo që shpreh mendimin e vet pro apo kundër.
“Mbështes vendimin e sotëm politik. Sa i përket spekullimeve, është e qartë që unë thashë se kjo parti duhet të kthejë meritokracinë dhe datën 18 të Kuvendit duhet ta përdorë për të kërkuar ndjesë dhe të mos ketë më të emëruar. Partia duhet të vendosë garën, votën dhe drejtësinë”, deklaroi Duma.
Vendimi i Kryesisë së Partisë Demokratike:
Në mbështetje të nenit 43 dhe 45 të Statutit të Partisë Demokratike,
Nisur nga situata e krijuar në Partinë Demokratike pas shpalljes nga Departamenti Amerikan i Shtetit si person “non-grata” të z. Sali Berisha dhe dëmtimit të interesave politike të Partisë Demokratike në lidhje me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në rast të mosmarrjes së masave që kërkoheshin nga ky vendim, me kërkesë të Kryetarit të Partisë, Kryesia e Partisë Demokratike në mbledhjen e datës 15.11.2021,
Vendosi:
1. Thirrjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, ditën e shtunë, më datë 18 Dhjetor 2021, ora 11:00, në Pallatin e Kongreseve, me rend dite:
“I. Vendimmarrje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave
për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD, dhe axhendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës.
II. Miratimin e Aksionit Politik për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe shpalljen e Platformës Qytetare për Demokraci, për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend, si dhe ndërtimin e mekanizimit të bashkëpunimit me të gjitha forcat e shoqërisë në përballjen me regjimin e Edi Ramës, i cili në aleancë me krimin e organizuar dhe korrupsionin ka shkatërruar çdo mjet të funksionimit demokratik të shtetit shqiptar dhe po nxit braktisjen masive të vendit nga qytetarët dhe kryesisht të rinjtë.
III. Miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike për të përgatitur strukturën e partisë për zgjedhjet e ardhshme, sipas objektivit “Partia Demokratike, partia e demokratëve dhe çdo shqiptari të ndershëm – Forca e vetme politike që do të sjellë ndryshimin në Shqipëri”.
2. Organizatat partnere, Forumi Rinor i Partisë Demokratike (FRPD) dhe Lidhja Demokratike e Gruas (LDG), në përfundim të procesit të organizimit të zgjedhjeve për organet e tyre drejtuese në përputhje me udhëzimin nr. 133, datë 05.11.2021 të Kryetarit të Partisë (për FRPD) dhe udhëzimin nr. 137, datë 06.11.2021 të Kryetarit të Partisë (për LDG), të paraqesin për miratim pranë Kryesisë së Partisë, sipas pikës 4 të nenit 58 të Statutit të PDSH, statutin e organizimit të tyre, ku të parashikohet që parimet bazë të strukturës së tyre organizative të jenë të ngjashme me ato të PDSH.
3. Çdo veprim apo akt tjetër, në çdo formë apo mënyrë, që bie ndesh me këtë vendim të Kryesisë së Partisë, do të përbënte dëmtim të interesave elektorale dhe politike të Partisë Demokratike.
4. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm për marrjen e masave organizative për njoftimin dhe zhvillimin e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar, në përputhje me nenin 47 të Statutit të PDSH.
5. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm, Degët e Partisë Demokratike, FRPD dhe LDG, për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.