“Jeni në hetim për krime kibernetike”, Policia njofton mbi email-et e rreme që po marrin qytetarët

0
2

Policia e Shtetit bën me dije se disa shtetas ende të paidentifikuar kanë krijuar adresë elektronike të rremë (email) me kredenciale të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, dhe nëpërmjet saj, janë prezantuar si struktura për Hetimin e Krimeve Kibernetike.

Sipas policisë, me këtë adrese, qytetarëve u janë dërguar mesazhe elektronike me përmbajtje kërcënuese, duke i njoftuar se janë në hetim për krime kibernetike ose vepra penale në fushën e narkotikëve, si dhe duke iu kërkuar që të paraqiten brenda 24 orëve, në polici.

“Informojmë se emailet janë false dhe nuk kanë asnjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me ndonjë strukturë zyrtare të saj”, lexohet në njoftimin e Policisë së Shtetit, shkruan A2.

Më tej, policia shton: “Policia e Shtetit nuk dërgon kurrë njoftime zyrtare për hetime nëpërmjet emailit; Asnjë strukturë policore nuk kërkon që qytetarët të paraqiten në polici, pa një thirrje zyrtare të firmosur dhe të protokolluar; Qëllimi i këtyre mesazheve është mashtrimi dhe përhapja e frikës tek qytetarët. Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve që të mos iu përgjigjen dhe të mos shpërndajnë emaile me përmbajtje të tillë. Gjithashtu, informojmë se rasti është në hetim nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve të kësaj veprimtarie kriminale”. (A2 Televizion)