Konfindustria i kërkon qeverisë dhe vendimmarrjes politike të ndryshojë thelbësisht dhe në një kohë sa më të shpejtë, mënyrën e përbërjes, ndërtimit dhe funksionimit të Bordit të Çmimeve të Karburanteve.
Në një deklaratë për mediat, administrator i Përgjithshëm Gjergj Buxhuku thotë se se mënyra e ndërtimit të bordit është më ngarkesë të qartë të përplasjes institucionale, mungesë objektive të vlerësimeve profesionalizmi si dhe krijon hapësira të mëdha për subjektivizëm dhe korrupsion.
-Së pari, është e paarsyetuar prania në vendimarrje e përfaqësuesve të kompanive, që janë subjekt i kontrollit për spekullime të cmimeve. Në këtë rast krijohet përplasje e drejtëpërdrejtë me vetë qëllimin e krijimit të Bordit të Çmimeve të Karburanteve.
-Së dyti, edhe prania e përfaqësuesve të Ministrisë së Financave është në përplasje të qartë institucionale me qëllimin e krijimit të Bordit. Ministria e Financave është e interesuar për cmime sa më të larta të karburanteve, në mënyrë që të shtojë të ardhurat në buxhet. Vetëm në 2 muajt e parë të vitit 2022 të ardhurat buxhetore janë tejkaluar me pothuaj 200 milion $ nga parashikimi si pasojë direkte e infacionit, duke goditur ashpër prodhimin vendor, industritë dhe mirëqënien e qytetarëve shqiptarë.
-Së treti, është e domosdoshme paraqitja publike e metodikës dhe arsyetimit rast pas rasti për cdo vendim të Bordit me qëllim shmangien e subjektivizmit dhe korrupsionit.
Konfindustria vlerëson, se modeli më i përshtatshëm është krijimi i Entit Rregullator të Karburanteve/ERRK, institucion profesional i përhershëm në varësi të Kuvendit të Shqipërisë, sipas shembullit të Maqedonisë së Veriut.
Sipas vlerësimeve të përditësuara nga Qendra e Studimeve të Konfindustrisë del që çmimet e karburanteve në Shqipëri janë 15-20 lekë më të larta sesa fqinjët, duke përllogaritur edhe ndikimin e ngarkesës fiskale të ndryshme.
Ndërkohë në vlerë absolute, cmimet e naftës në Shqipëri në javën e fundit të muajit mars 2022 janë 70-80 lekë më të larta sesa Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Gjithashtu, tepër të larta janë edhe krahësimisht shteteve të tjera të Rajonit dhe BE, që kanë një nivel të ardhurash vjetore shumë më të lartë.