Jordania do të rifillojë fluturimet drejt Sirisë pas ndërprerjes 13-vjeçare

0
3

Jordania tha sot se do të rifillojë fluturimet e saj ajrore drejt Sirisë që nga 31 janari pas një pezullimi 13-vjeçar.

Linja ajrore “Royal Jordanian” tha se fluturimet për në kryeqytetin sirian, Damask, do të operohen katër herë në javë, duke e lidhur qytetin me një rrjet prej mbi 45 destinacionesh në gjithë Evropën, Amerikën, Lindjen e Mesme dhe vendet e Gjirit.

Ky vendim vjen pas rihapjes së Aeroportit Ndërkombëtar të Damaskut për trafikun ajror ndërkombëtar më 7 janar. Që atëherë, disa linja ajrore kanë rifilluar fluturimet drejt dhe nga kryeqyteti sirian.

Linjat ajrore pezulluan kryesisht operacionet në Damask në vitin 2012 për shkak të shtypjes së dhunshme të regjimit sirian ndaj protestave pro reformës që shpërthyen në vitin 2011.

Bashar Asad, udhëheqësi i Sirisë për gati 25 vjet, iku në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila kishte qenë në pushtet që nga viti 1963.