Kryebashkiaku në detyrë i Himarës, Jorgo Goro ka mbërritur në Gjykatë, ku do të njihet me masën e sigurisë.
Gazetari i ABC News, Ermal Vija raporton se seanca do të nisë në orën 11:30 dhe do të jetë gjyqtarja Rudina Palloi e cila do e ndjekë seancën.
“Janë arrestuar 3 persona, përfshirë edhe Jorgo Goron, ndërsa dy persona janë në kërkim. Goro u arrestua disa ditë më parë me akuzën e shpërdorimit të detyrës, të paktën në dy raste. Përveç Jorgo Goros, edhe zyrtarët e tjerë akuzohen për shpërdorim detyre. Seanca do të nisë në orën 11:30. Goro është marrë ne pyetje në vazhdimësi. Ai në sqarimet që ka dhënë ka deklaruar se nuk ka përgjegjësi ligjore, në lidhje me falsifikimin, ai dekaroi se si kryetar bashkie, ka pasur detyrën vetëm firmosjen e shkresave. Nuk ka pasur detyrim që të bëjë verifikimin”, raportoi gazetari.
Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Goro në cilësinë e kryetarit të bashkisë në bashkëpunim me Drejtorin e Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, Bashkia Himarë pa bërë asnjë verifikim konkret sipas detyrimeve ligjore, kanë përcjellë pranë organeve kompetente dokumente tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur më pas regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat.
Po ashtu, Goro akuzohet se ka realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, duke ia mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit./abcnews.al