Ndërkohë që prej orësh vijon operacioni policor për arrestimin e Josif Kavajës, banorët e fshatit Zavalinë për Ora News kanë treguar se 45 vjeçari nuk ka qenë një njeri problematik.
Ata besojnë se Kavaja mund të jetë ngacmuar më parë që situata ka agravuar deri në këtë pikë, ndërkohë që tregojnë se ai jetonte vetëm.
“Ai nuk ka qenë njeri harrakat, por s’e di pse u bë kështu. Ka një javë që thonë njerëzit që qëllon, por nuk kam dëgjuar gjë. Unë them që ndoshta ai është ngacmuar se nuk ka bërë asgjë. Vinte te ne dhe merrte ushqime, llafoseshim dhe ikte në punën e tij. Jetonte vetëm. Thonë që ka qenë jashtë shtetit që herët, këtu jetonte me dhenë dhe me pula, shet misër. Nuk kemi dëgjuar gjë ndonjëherë”, thotë njëra prej banorëve.
Një tjetër bashkëfshatar i 45 vjeçarit ka thënë për Ora News se ai ishte një njeri që përshtatej me të gjithë, madje janë të habitur prej ngjarjes.
“Besoj që është ngacmuar më përpara, se kam qëlluar që kam bërë muhabet më parë dhe është shumë njeri i zgjuar. Nuk njihet fare për problematik, kishim qef të bënim muhabet, rrinte me çdolloj moshe. Më ka bërë habi ngjarja”, shton një tjetër qytetar.
Sakaq operacioni për kapjen e 45 vjeçarit vijon prej më shumë se 5 orësh. Në vendngjarje momentalisht kanë mbërritur edhe grupi i specializuar negociator, që po tentojnë të bëjnë Kavajën të dorëzohet.