Jugu i Italisë, rekord në pritje të punësimit: Numri i personave, më i madh se në të gjithë Gjermaninë

0
118

Në jug të Italisë, duke lënë jashtë ishujt, në vitin 2021 më shumë se 501 mijë persona të moshës nga 15 – 74 vjeç ishin në kërkim të një pune prej më shumë se një viti. Kjo shifër është më e lartë në krahasim me të gjithë territorin e Gjermanisë që ka trefishin e popullsisë në krahasim me këto rajone të Italisë. Të dhënat janë publikuar nga Eurostat.

Nëse këtij bilanci i shtohen dhe ishujt, shifra është më e lartë se 758 mijë. Sipas të dhënave të papunët prej një kohe të gjatë në Gjermani përbëjnë 1.2 % të forcës së punës përballë 10.3% të regjistruar në jug të Italisë. Ndërkohë nëse analizohet përqindja e të papunëve që e kanë më të vështirë të bëhen sërish pjesë e tregut të punës në Gjermani është 32.4%, ndërsa në jug të Italisë është 64.4%.

Në të gjithë Italinë të papunët prej një kohe të gjatë, në vitin 2021 ishin 1 milion e 364 mijë.

Pjesa më e madhe e këtyre të papunëve në Itali janë persona me nivel të ulët arsimor: 639 mijë kanë kryer vetëm shkollën e mesme, ndërsa në të gjithë Gjermanë janë 83 mijë persona që hyjnë në këtë kategori.