Emri i Jurgen Klopp është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes në orët e fundit. Ish-tekniku i Liverpool, i cili prej dy sezonesh është larguar nga bota aktive e trajningut, aktualisht mban një rol të ri si “keshilltar” brenda strukturave të Red Bull.
Në Spanjë kanë qarkulluar raportime se Klopp konsiderohet si kandidati kryesor për të pasuar Xabi Alonson tek Real Madrid, në rast se trajneri aktual i madrilenëve largohet.
Madje, disa media sugjeruan se Florentino Perez e ka vendosur tashmë emrin e gjermanit në krye të listës së dëshirave.
Por presidenti i Red Bull, Oliver Mintzlaff, i ka hedhur poshtë këto zëra, duke mohuar çdo mundësi largimi në këtë fazë. “Jürgen ka qenë shumë i qartë: për momentin nuk dëshiron të rikthehet si trajner. Natyrisht, kjo mund të ndryshojë në një moment të jetës së tij”, deklaroi ai.
Mintzlaff nënvizoi se Klopp vazhdon të jetë i përfshirë dhe i motivuar në detyrën e tij aktuale:
“E shoh çdo ditë sa i apasionuar është pas futbollit, sa shumë ide ka dhe sa dëshirë ka të zhvillohet më tej. Prandaj jam plotësisht i qetë”
Spekulimet për rikthimin e tij në stolin madrilen duket se, të paktën për tani, nuk kanë bazë reale.


