Jurgis Çyrbja nuk i shpëton qelisë, GJKKO rrëzon kërkesën e ish- deputetit për zëvendësimin e masës së sigurisë

0
2

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka refuzuar sot kërkesën e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Vendimi i GJKKO-së vjen në një moment kur çështja ndaj Çyrbjes dhe dy të pandehurve të tjerë, Ahmet Masha dhe Altin Hajri, tashmë ka kaluar në fazën e gjykimit, pas përfundimit të hetimeve nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) më 15 korrik.

Çyrbja është i akuzuar për bashkëpunim me një organizatë kriminale që vepronte në Durrës, të drejtuar nga i shumëkërkuari Altin Hajri. Gjithashtu, ai përballet me akuzën e nxjerrjes së sekretit shtetëror.

Ish-deputeti socialist ndodhet në paraburgim që prej 20 tetorit 2024, me urdhër të SPAK dhe vendim të GJKKO-së. Prokuroria pretendon se Çyrbja ka pasur lidhje të ngushta me Altin Hajrin dhe ka ofruar ndihmë në këmbim të mbështetjes elektorale.