Juventusi e humb Dybalan në prag të Ligës së Kampionëve

0
234

Paulo Dybala u lëndua në fitoren e Juventusit 2:0 kundër Sampdorias të dielën në Serie A, duke i shkaktuar Maurizio Sarrit kokëçarje para rifillimit të Ligës së Kampionëve.

Juventusi e fitoi titullin e nëntë radhazi në Serie A pas triumfit në Allianz Stadium të dielën, por mund ta ketë humbur Dybalan, transmeton Gazeta Express.

Sulmuesi argjentinas pësoi dëmtim në ijën e djathtë në përfundim pjesës së parë dhe u detyrua ta braktisë ndeshjen. Gonzalo Higuain e zuri vendin e tij.

Sarri ishte detyruar ta bënte një zëvendësim edhe më të hershëm, pasi Danilo nuk qe në gjendje ta vazhdonte ndeshjen pasi e përplasi kokën me Gaston Ramirezin.

Juve do t’i ketë edhe dy ndeshje në Serie A deri në përfundim, me Cagliarin dhe Romën këtë javë, para se ta mirëpresë Lyonin për ndeshjen e kthimit në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve më 7 gusht.

Bardhezinjtë do të shpresojnë për lajme të mira nga departamenti i mjekësisë, veçanërisht në lidhje me Dybalan.

Juve e humbi ndeshjen e parë kundër Lyonit në Francë me rezultat 1:0, ndaj i duhet të fitojë të paktën 2:0 për të kaluar në çerekfinale. /Gazeta Express/