“Ka kryer sulme kibernetike që prej 2007”, SHBA sanksionon Iranin, në raport dhe Shqipëria

0
94

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Iranit për sulmet kibernetike, përfshirë dhe atë ndaj Shqipërisë.

Departamenti amerikan i thesarit njoftoi masat ndaj Ministrisë iraniane të Zbulimit dhe Sigurisë dhe ministrit Esmail Khatibi për aktivitete kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve.

Në njoftim mes këtyre aktiviteteve rezulton dhe sulmi ndaj Shqipërisë. Departamenti thotë se në korrik të vitit 2022, aktorët e sulmeve kibernetike, me mbështetje e qeverisë së Iranit dhe Ministrisë iraniane të Zbulimit dhe Sigurisë, ndërprenë sistemet kompjuterike të qeverisë shqiptare, duke e detyruar qeverinë të pezullojë shërbimet publike online për qytetarët e saj.

Nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Zbulimin Financiar, Brian E. Nelson, tha se aktet kundër Shqiperise apo çdo aleati tjetër të Amerikes nuk do të tolerohen.

“Sulmi kibernetik i Iranit kundër Shqipërisë shpërfill normat e veprimeve të përgjegjshme shtetërore në kohë paqeje në hapësirën kibernetike, ku përfshihet norma për të mos dëmtuar infrastrukturën kritike që ofron shërbime për publikun.

Ne nuk do të tolerojmë aktivitetet kibernetike gjithnjë e më agresive të Iranit që vënë në shënjestër Shtetet e Bashkuara ose aleatët dhe partnerët tanë,” thuhet në raport.

Në njoftimin e Departamentit të Thesarit thuhet se që nga viti 2007 kjo ministri ka kryer operacione keqdashëse kibernetike që kanë vënë në shënjestër një numër organizatash qeveritare dhe të sektorit privat në mbarë botën dhe në sektorë të ndryshëm të infrastrukturës kritike.

Si rezultat i sanksionit ndaj Ministrisë dhe ministrit, Esmail Khatibi të gjitha pronat dhe interesat në pronësi të tyre, që janë nën juridiksionin e Shteteve të Bashkuara bllokohen dhe amerikanëve u ndalohet të hyjnë në transaksione me ta.

Çdo biznes, që zotërohet në masën 50 për qind ose më shumë, nga personat apo entitetet e vëna nën sanksione, gjithashtu do të bllokohet.

Edhe personat jo amerikanë që angazhohen në transaksione të caktuara me këta persona mund të bëhen objekt sanksionesh dhe çdo institucion financiar i huaj që me vetëdije kryen ose lehtëson një transaksion të rëndësishëm për ose në emër të personave të caktuar, mund t’u nënshtrohet sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara.

Në fillim të këtij viti, Shtetet e Bashkuara identifikuan një grup aktorësh të njohur si MuddyWater, si një element vartës brenda Ministrisë iraniane të Zbulimit dhe Sigurisë që ka kryer fushata të gjera kibernetike në mbështetje të objektivave të organizatës që rreth vitit 2018.

Aktorët e MuddyWater janë të njohur për të shfrytëzuar dobësitë e raportuara publikisht për të fituar akses në të dhënat e ndjeshme në sistemet e viktimave, për të vendosur rsoftuere bllokues dhe për të ndërprerë operacionet e organizatave private.

Ministria e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit dhe bashkëpunetorë, nën udhëheqjen e Esmail Khatib , drejtojnë disa rrjete të aktorëve të sulmeve kibernetike në mbështetje të qëllimeve politike të Iranit.