Kalaja e Ali Pashës në Tepelenë, kthehet në destinacion turistik

0
294

Kryeministri Edi Rama ishte sot në kalanë e Ali Pashës, në Tepelenë, e cila siç tha ai “po del nga rrethimi absurd i ngrehinave pa leje, ferrave e plehrave përreth murit, për t’u kthyer në një destinacion turistik”.

“Në kalanë e Ali Pashës, e cila po del nga rrethimi absurd i ngrehinave pa leje, ferrave e plehrave përreth murit, si edhe po çlirohet nga brenda prej gardheve, mureve, sustave, derrasave, llamarinave, mbeturinave, për t’u kthyer në një destinacion turistik, ku godinat që nuk do të prishen do të integrohen në një projekt banesash karakteristike, të cilat do t’u sjellin banorëve të kalasë të ardhura, si bujtina apo dyqane të vogla artizanati e produktesh të zonës”, tha Kryeministri.

Në takim me banorë të zonës së kalasë, Rama siguroi se “në rrugë nuk do lëmë asnjë njeri por do t’ju sistemojmë sipas ligjit dhe zakonit, ndërsa Kalanë e Ali Pashait do e kthejmë në destinacion turistik”.

“Do bëjmë një projekt preciz edhe për shtëpitë ekzistuese që nuk do preken, që të kthehen në shtëpi kalaje, jo në shtëpi sikur janë në periferi të Tiranës. Ato shtëpi që janë ngjitur me murin nuk mund të rrinë por këto që janë në zemër të kalasë me rrugica rreth e rrotull do t’i risistemojmë që të japim edhe një pamje të re. Do ruajmë muret e të gjitha, por duke përdorur gurë dhe dru në mënyrë që banorët nesër pasnesër të nxjerrin fitim, duke pasur këtu turistë dhe duke krijuar hapësira edhe për të bërë ndonjë dyqan të vogël për artizanat, për prodhime të vendit. Por këto gardhe, rripa e ferra duhen hequr të tëra”, tha Rama.

Rama tha se “muret e tepërta do t’i shembim dhe shtëpitë që janë brenda dhe që nuk e dëmtojnë projektin do t’i ruajmë, por do t’i përmirësojmë”.

Kryeministri siguroi banorët që projekti do të bëhet bukur, por kërkoi bashkëpunimin e tyre për ta sistemuar. /a.a/