Kalaja mesjetare e fshatit Zdranjsh-Katund po rrënohet, banorët pa shkollë dhe pa spital

0
222

I bekuar nga natyra fshati Zdranjsh-Katund, në njësisë administrative Orenjë të Librazhdit që ndodhet mes malesh është braktisur.
Dikur kishte spital, shkollë të mesme të cilës i ka mbetur vetëm “skeleti”.

Deri në vitet 1990 kishte rreth 1.200 banorë ndërsa sot jetojnë vetëm 40 familje me dy ose tre anëtarë.
Të rinj nuk sheh pothuajse fare, por dhe shumë të moshuar janë larguar për të shkolluar nipërit dhe mbesat.
“Ishte spitali me dy mjekë e infermier, bëheshin edhe lindje. Njeri nuk vuri dorë në fshat dhe njerëzit u detyruan të ikin. Fshati do ujë dhe rrugë, se punën e bën vetë. U detyrova të iki për shkollat e mbesave, sepse u mbyll shkolla se s’ka dhe kalamaj”, shprehet një qytetar.
Këta banorë merren kryesisht blegtori por nuk kanë treg ku të shesin bulmetin dhe mishin. Një prej tyre tregon se ngriti dhe një stallë, bleu bagëti dhe shpenzoi shumë para por sot i ka shitur të gjitha.
“Ndërtova edhe një stallë për të cilën shpenzona mbi 50 mijë euro. Por qumështin nuk kishin ku e shisnim. E çoja në Shëngjergj me katërqind lekë kg, por nuk i dilej dhe i shitëm bagëtitë. Stalla dhe hambarët tani kanë mbetur bosh”, tregon një qytetar.
Banorët kanë shumë pak bagëti dhe dalin me radhë për ti kullotur. Ndërsa tokën nuk e mbjellin dot se nuk kanë ujë për ujitje.
“ Kemi një tufë kolektive, i ruaj me radhë më ditë. Jemi nga dy pleq për shtëpi. Vuajmë për ujë vaditës, vuajmë për ujë të pijshëm. Po na thahet misri. E kalon shpenzimi prodhimin. Na prishet prodhimi sepse nuk ka ujë. Shteti nuk na shikon fare edhe pse kemi dhënë dhe votat të majtës në maksimum”, tregon ai.
Ish kryeplaku i fshatit, Kapllan Deda sqaron se kohët e fundit kanë nisur disa investime.
“Mbaruan punimet në një rezervuar të vjetër të kohës së Enverit, por duhen ende edhe disa tuba. Janë bërë disa punime, disa kanalizime, por ende ka shumë punë për të bërë”, shprehet ai.
Ky fshat ka plot vende historike, si kalaja shumë pjesë të të cilët nga mungesa e mirëmbajtjes janë dëmtuar.
Mendohet se është ndërtuar në kohën e Skënderbeut. Por për tu ngjitur deri aty duhet të kesh këmbë të forta dhe të kalosh përmes një shtegu të ngushtë që banorët e njohin.
Një prej të cilëve një qytetar tregon se ka qenë i shtruar me kalldrëm.
“Në këtë rrugë ngjitemi për në kala, siç tregojnë të vjetrit vendi këtu ka qenë i shtruar me kalldrëm”, tregon një qytetar.
Vazhduam rrugën e lodhshme dhe mbërritëm në destinacion.
Arzeni udhërrëfyesi ynë na njeh me asetet historike të kësaj zone.
“Në kohën e Skënderbeut këtu jepeshin dhe merreshin informacionet. Ka vende të pashkelura. Këtu duhet një rrugë për ata që duan ta vizitojë:, tregon ai.
Ndërsa historiani Shaban Gjura tregon me detaje historinë e Kalasë së Zdranjshit e ndërtuar në mesjetë dhe që ndodhet 800 metra mbi nivelin e detit.
“Mënyra si është ndërtuar kalaja apo kjo pikë vrojtimi duket se është vënë në shërbim të luftës së Skënderbeut me turqit. Është ndërtuar rreth viteve 1443-1444”, tregon ai.
Një tjetër mësues që vizitoi me ne këtë Kala jep dhe një këshillë.
“Përveç vizitorëve nuk ka ardhur njeri tjetër, këto janë vlera kombëtare dhe duhen ruajtur”, shprehet ai.
Në këtë majë mali ndodhen dhe disa tunele të cilat dikur u ndërtuan për ushtarët.
Peizazhi i jashtëzakonshëm dhe ajri i pastër na shoqëruan përgjatë gjithë rrugëtimit të vështirë i cili në fakt ja vlejti pasi u njohëm me asetet e zonën dhe shijuam rrëfimet e historianëve.

web çermenika