“Kam qenë në gjendje shoku…” Si u tall gjyqtarja Këlliçi me njeriun e medias, Ridvan Hadon dhe Llagamin e KLGJ. Më parë nxori lajmin, pastaj kërkoi mbrojtje. (Dosja)

0
43

“…kam qenë në gjendje shoku pasi e lexova letrën, si unë si sekretarja që ishte e pranishme. Në këto kushte kam kontaktuar anëtarin e KLGJ, Ridvan Hado, i cili është anëtar i Komisionit të Mbrojtjes së Posaçme të Gjyqtarit në KLGJ…”.

Kështu ka dëshmuar në prokurori gjyqtarja e Tiranës Arnisa Këlliçi, e cila është ndjerë e shokuar nga përmbajtja kërcënuese e një letre, të cilën e kishte shkruar vetë dhe më pas e kishte futur brenda një zarfi të hapur që kishte mbërritur nga burgu i Fushë-Krujës në zyrën e saj nga një i paraburgosur që kishte gjyq me Arnisa Këlliçin.

I paraburgosi në letrën e tij, kërkonte shtyrjen e seancës gjyqësore. Ndërsa gjyqtarja ka hequr letrën e mbërritur nga burgu, dhe brenda po të njëjtit zarf ka futur letrën e shkruar nga vetë ajo, duke e paraqitur si një ngjarje shokuese dhe kërcënuese për të dhe familjen e saj.

Në fakt gjyqtarja Këlliçi, kishte tjetërsuar një skenar të hollësishëm me qëllimin e vetëm, që kërcënues në këtë histori të nxirrte prokurorin e Tiranës, Adriano Dyrmishin. Thjesht ishte një dëshirë e saj për tu hakmarrë ndaj prokurorit me qëllim nisjen e një dosje penale, kundër tij.

Gjithçka u bë për hakmarrje, pasi prokurori Dyrmishi gjatë një bisede telefonike me kancelarin e gjykatës së Tiranës, e kishte ofenduar rëndë gjyqtaren Arnisa Këlliçi.

Sulmet ndaj Dyrmishit gjyqtarja Këlliçi, fillimisht i nisi duke përdorur një personazh mediatik, pasi në mbrëmjen e 20 janarit u publikua lajmi për letrën e kërcënimit të gjyqtares nga një prokuror. Në fakt më parë doli lajmi në media se sa gjyqtarja, kërkoi mbrojtje pranë KLGJ-së.

Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno raporton se për të zbuluar të gjithë dinamikën e kësaj tallje dhe intrige brenda sistemit të Drejtësisë, që përfshiu, prokurorinë, gjykatën e Tiranës, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Ministrinë e Drejtësisë, janë sekuestruar kamerat e brendshme dhe të jashtme të Gjykatës Penale të Tiranës.

Pas verifikimit të kamerave ka rezultuar se në datën 16 janar 2024, në orën 11:42 minuta shfaqet në katin e tretë prokurori Adriano Dyrmishi dhe futet në zyrën e gjyqtares Arnisa Këlliçi.

Në pamjet filmike ai duket që duart i mban në xhepat e xhupit, duke mos u identifikuar elementë të tjerë si letër apo zarf.

Ndërkohë në orën 12:00 largohet prokurori Adriano Dyrmishi. Koha e qëndrimit në zyrën e gjyqtares, nga ana e Prokurorit është rreth 18 minuta.

Gjyqtarja nuk rezulton të largohet nga zyra gjatë momentit që prokurori ka qenë në zyrën e saj. Kjo e dhënë përputhet edhe me audio incizimin, dërguar nga gjyqtarja Këlliçi, ku rezulton se Prokurori Adriano Dyrmishi, ka qenë në shoqërinë e saj gjatë gjithë kohës.

Mirëpo katër ditë pas takimit në zyrë mes prokurorit Dyrmishi dhe gjyqtares Këlliçi, kjo e fundit në datën 20 janar 2024, ka thirrur në zyrë një personazh të medias.

Në dosjen hetimore thuhet se personazhi i medias shfaqet në kamera në orën 11:55 minuta, i cili hipën në katin e tretë dhe futet në zyrën e gjyqtares. Sekretarja del nga zyra dhe nuk qëndron e pranishme mes takimit të personazhit të medias dhe gjyqtares Këlliçi.

Ndërkohë në orën 12:16 minuta personazhi i medias largohet nga zyra e gjyqtares Këlliçi.

Në orën 19:19 minuta personazhi i medias ka nxjerrë lajmin për një letër kërcënuese që kishte marrë gjyqtarja Arnisa Këlliçi në zyrën e saj.

Lajmi për letrën kërcënuese ka dalë më përpara në media se sa ka mbëritur kërkesa për mbrojtje që Arnisa Këlliçi i ka bërë Narueda Llagamit, drejtueses së Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Media e publikoi lajmin në orën 19:19 minuta, ndërsa e-maili ku Këlliçi kërkon mbrojtje dërguar drejtueses së KLGJ, është dërguar në orën 19:26.

Pas publikimit të këtij lajmi, ka rezultuar se deri në orën 19:52 rezulton të ketë lëvizje vetëm të sekretares Denada Trupja, hyrje dalje nga zyra, e Këlliçit.

Por teksa lajmi i kërcënimit të gjyqtares Këlliçi ka dalë gjerësisht në media, mbrëmjen e datës 20 janar rreth orës 20:07 minuta, në hyrje të gjykatës, shfaqet një person, femër me flokë të verdha. Kjo femër i bie derës së gjykatës për disa momente, por nuk i përgjigjet njeri dhe largohet.

Në orën 20:30 shfaqen në hyrjen e gjykatës e njëjta femër, por këtë herë e shoqëruar nga një person mashkull, i bien sërish derës në mënyrë të përsëritur.

Pas derës së xhamit shfaqet sekretarja Denada Trupja, e cila merr kontakt me këta dy persona. Denada nuk e hap derën dhe nuk krijon akses për të hyrë këta dy shtetas.

Komunikojnë me njëri-tjetrin duke afruar kokën tek dera e xhamit. Më pas këta dy shtetas largohen. Sipas deklarimeve të sekretares Denada Trupja, personat ishin motra e gjyqtares Arnisa Këlliçi me një person tjetër, të cilin ajo nuk e njihte.

Gjithashtu në orën 20:37 minuta në hyrjen e gjykatës shfaqen 4 punonjës policie. Pas dy minutash shfaqet sekretare Denada Trupja, e cila merr kontakt me ta. Punonjësit e policisë i tregojnë dokumentin identifikues nga xhami. Denada i fotografon, por nuk u jep akses për të hyrë në gjykatë.

Punonjësit e policisë qëndrojnë në mënyrë të pandërprerë tek hyrja e gjykatës. Në orën 22:52 minuta gjyqtarja del nga zyra dhe zbret shkallët e kapur prej krahu me sekretaren e saj.

Në orë 22:56 minuta gjyqtarja del nga dera e gjykatës në katin e parë. Sekretarja, del pas saj, dhe sigurohet të tërheqë derën dhe ta mbyllë. Gjyqtarja merr kontakt me punonjësit e policisë, diskutojnë dhe më pas largohen.

Në analizë të pamjeve filmike për datën 20 janar 2024 rezulton se në zyrën e gjyqtares Arnisa Këlliçi ka hyrë vetëm sekretarja e saj, vetëm, gjyqtarja Këlliçi dhe një personazh i medias.

Tashmë për këtë çështje prokuroria e Durrësit ka maerë të pandehur gjyqtaren Arnisa Këlliçi alias Gorezi, për akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Kallëzimit të rremë”.

Ndërsa çështja është ende në pritje të fillimisht të seancave gjyqësore, gjatë këtyre muajve, hetimi i prokurorisë nuk arriti të zbardhë arsyet dhe shkaqet që ndikuan në “çmendjen” e gjyqtares së Tiranës.