
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku njëherazi drejtuesi politik i qarkut Elbasan ka dhënë shpjegime për më shumë se 4 orë në prokurorinë e Tiranës, lidhur me një hetim që po kryhet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Dosja penale është çelur nga organi I akuzës mbi bazën e kallëzimit të bërë nga Bellind Këlliçi, në kohën kur garonte për kryetar Bashkie i Tiranës, përballe Erion Veliaj.
Bëhet fjalë për rrugën Xhon Belushi në Tiranë, e cila ishte asfaltuar nga punonjësit e bashkisë së Tiranës, në një kohë që tenderi ishte ende I hapur dhe nuk ishte shpallur asnjë kompani fituese.
Pas denoncimit, tenderi fiktiv u anulua, ndërsa që në prokurorinë e Tiranës u kallëzua Erion Veliaj, me detyrë kryetar Bashkie. Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se Arbjan Mazniku atë kohë në detyrën e nënkryetarit të Bashkisë, ishte në cilësinë e autoritetit kontraktor.
Për këtë arsye, ai është thirrur në prokurori për dëshminë e tij. Burime pranë prokurorinë thanë se janë duke vlerësuar nëse do ta kalojnë dosjen për kompetencë të SPAK, pasi ka të dhëna dhe indicie për kryerjen e veprave penale.
