SPAK ka sekuestruar telefonin e drejtorit të Policisë së Elbasanit, Ilir Proda, i cili njëkohësisht është dhe kandidat zyrtar për zëvendësimin e Muhamet Rrumbullakut. Gjithashtu bëhet me dije se Prokuroria e Posaçme ka vënë nën hetim 10 agjentë policie dhe hetues të BKH-së që kanë qenë në terren për ekzekutimin e masave të sigurisë të lëshuara në kuadër të operacionit që goditi bandën e vëllezërve Çopja në Elbasan.
Mësohet se SPAK ka marrë në pyetje edhe 3 drejtues policie që kanë patur dijeni për operacionin. Po ashtu SPAK është duke kryer verifikime në një sërë aparatesh celulare, komunikime apo takime të mundshme kompromentuese. Lidhur me operacionin, nga 33 urdhër arreste të miratuara nga Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK, u ekzekutuan vetëm 13, dy prej tyre të arrestuar më herët për vepra të tjera penale teksa disa prej këtyre mbeten në arrati.
Vëllezërit Franc e Hajdar Çopja dyshohet të jenë krerët e grupit kriminal që fshihet pas vrasjeve si pasojë e përplasjeve mes grupeve kriminale (Çopja dhe Alibej), me qëllim sundimin e trafikut të kokainës. Hetimi nisi në vitin 2022 iniciuar dhe nga dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë Erion Alibej e Nuredin Dumani./Dosja.al