E pamundur të shkonte më keq. Italia pësoi një katastrofë të vërtetë në mbrëmjen e parë përcaktuese të plej ofit në Champions, me dy eliminime.
Milan dhe Atalanta nuk e kaluan dot pengesën europiane, edhe pse kundërshtarët në letër ishin inferiorë.
Kuqezinjtë I dhanë mundësi Fejënordit të festonte kalimin në të tetat e finaleve në Ligën e Kampionëve për herë të parë pas 50 viteve, dhe kjo pas gafës së rëndë të kryer nga Teo Hernandez.
Francezi simuloi në kërkim të penalltisë dhe mori të verdhin e dytë, pra u përjashtua me të kuq.
Fejënordi, në epërsi numerike, e pranoi dhuratën në minutën e 73-të kur Karransa barazoi dhe siguroi kalimin e turit.
Dhe të mendosh se gjithçka nisi shumë mirë. Milani shënoi që në minutën e parë në “San Siro”, me ish-yllin e holandezëve, Santiago Himenez.
Meksikani barazpeshoi sfidën pasi Fejënordi kishte fituar 1-0 në fushën e vet.
Milani bëri shumë më tepër, me 18 gjuajtje nga të cilat 7 në kuadrat, ndërsa rivalët shënuan me të vetmen goditje në portë.
“Çmenduri e Teos, – shkruan “La Gazeta delo Sport”, – Katastrofë e Milanit! Rrënim I Atalantës, Bryzhi shënon 3! Jepi Juve, të paktën ti!”
“Në ferr, – është verdikti i “Il Korriere delo Sportit”, – katastrofë e Milanit, lamtumirë Champions! Jashtë edhe Gaspi! Italia në telashe”!
Pra, nuk mjaftuan kuqezinjtë, sepse u dorëzua edhe “DEA”!
Me Berat Gjimshitin në fushë që në fillim, Atalanta u trondit nga një Klub Bryzh trim dhe me fat.
Me një Ardon Jashari të jashtëzakonshëm, belgët shënuan tri herë në 45 minutat e para.
Pra bashkë me fitoren 2-1 në ndeshjen e parë, epërsia ishte plot 5-1.
Golat erdhën nga Talbi dy herë, në 3’ dhe 27’, dhe nga Ferran Zhutgla në minutën e tretë shtesë para pushimit.
Nuk bëri punë epërsia e madhe në statistika dhe në vëllim loje e italianëve.
Ç’hyjnë në punë 65 për qind zotërim topi apo 30 gjuajtje gjithsej me 11 në portë?
Edhe fati ishte kundër, pasi Lokman që shënoi golin menjëherë në pjesën e dytë gaboi penalltinë në 60’.
Sipas trajnerit Gasperini nuk duhej ta kishte gjuajtur ai.
Në fund, kapiteni Toloi plotësoi mbrëmjen e tmerrshme të Atalantës duke humbur mendjen e duke u përjashtuar.
Italia shpresonte të kishte 5 skuadra në Champions sezonin e ardhshëm, por këtë duket se do ta arrijë Spanja, ndërsa sonte luan Juventusi./abcnews.al