“Kasapi i Teheranit”/ Kush ishte Ebrahim Raisi, Presidenti që mund të bëhej Ajatollah

0
67

Presidenti iranian Ebrahim Raisi, i cili vdiq në një aksident ajror të dielën, ishte një klerik i linjës së ashpër, i afërt me liderin suprem, Ajatollahun Ali Khamenei.

Zgjedhja e tij në vitin 2021, konsolidoi kontrollin nga konservatorët e çdo dege të pushtetit në Republikën Isalmike. 63-vjeçari që më herët ka mbajtur postin e rëndësishëm të kreut të gjyqësorit, zëvendësoi Hassan Rohanin pas një fitoreje kontroverse, gjatë zgjedhjeve ku një sërë kandidatësh të moderuar dhe reformistë nuk u lejuan të marrin pjesë, e që u bojkotuan nga shumica e qytetarëve.

Ai mori pushtetin teksa vendi përballej me një sërë sfidash, përfshirë probleme akute ekonomike, tensione të larta rajonale dhe ngecja e bisedimeve për rigjallërimin e ujdisë bërthamore me fuqitë botërore. Megjithatë, udhëheqja e tij u dominua nga protestat antiqeveritare që përfshinë Iranin në 2022 dhe lufta aktuale mes Izraelit dhe grupit militant të Hamasit, në Gaza.

Raisi ka qenë në qendër të sulmeve dhe thirrjeve për hetim nga shumë iranianë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut, lidhur me rolin e tij në ekzekutimin masiv të të burgosurve politikë në vitet ’80. Si prokuror, ai ka shërbyer si një prej 4 gjykatësve në gjyqet e fshehta, të cilat u krijuan në vitin 1988 dhe që njiheshin si komitetet e vdekjes. Ato rigjykuan mijëra të burgosur politik që ishin duke vuajtur dënimet e tyre nëpër burgje, përfshirë pjesëtarë të grupit opozitar të organizatës popullore të Muxhahedinëve.

Sipas grupeve humanitare, 5 000 burra dhe gra u ekzekutuan dhe varrosën në varre masive, në atë që konsiderohet si krim kundër njerëzimit dhe për rolin që pati në ekzekutime, Raisi u pagëzua si “Kasapi i Teheranit”. Presidenca e tij u shënjua gjithashtu nga protestat masive që kërkuan fundin e sundimit të klerit.

Lëvizja “Grua, jetë, liri” u nxit nga vdekja e Mahsa Amini, një e re që ishte arrestuar nga policia e moralit në Teheran për mbajtjen e papërshtatshme të shamisë. Sipas një misioni të OKB, vajza i ishte nënshtruar dhunës fizike që çoi edhe në vdekjen e saj. Raisi u zotua t’i shtypte protestat me forcë dhe të rreth 550 protestues besohet të jenë vrarë. I përfolur si pasues i mundshëm i Ajatollahut, ai ndante me të dyshimet e thella për Perëndimin dhe strategjinë e mbështetjes së grupeve pro Iranit në Lindjen e Mesme.

Kur një sulm raketor vrau një zyrtar të Gardës Revolucionare të Iranit në Ambasadën e Damaskut muajin e kaluar, ai mbështeti bombardimet e paprecedenta por përgjithësisht të pasuksesshme kundër Izraelit. Ai paralajmëroi se çdo akt hakmarrës kundër territorit iranian do të rezultonte me shfarosjen e regjimit zionist.