Elbasani në njëfarë mënyre zyrtarizoi se me Vorën do të luajë më 14 shtator, në orën 18:30 në “Elbasan Arena”. Kjo nënkupton se marrin fund njëherë e mirë dilemat se ku do të luajnë verdheblutë, duke ditur që në të kaluarën nuk kanë zhvilluar takime në qytetin e tyre.
Kjo, për faktin se në këtë stadium luheshin ndeshjet e Kombëtares apo dhe ekipeve të tjera të Superiores. Në fakt, edhe këtë sezon nuk është ndryshe, por të paktën Elbasani nuk do të diskutojë më se ku do të luajë. Por, në pah ka dalë një problem tjetër, i cili lidhet pikërisht me stadiumin.
MBINGARKESA – “Elbasan Arena” ka nëntë vite që është ndërtuar si stadium dhe për momentin vijon të mbetet shpëtimi i futbollit shqiptar. Bëhet fjalë për një impiant që po mban peshën më të madhe të ndeshjeve që luhen në vendin tonë.
Mirëpo, duket se mbingarkesa e tij me takime do të arrijë kulmin përgjatë këtyre ditëve, ku janë programuar plot katër sfida në harkun kohor të gjashtë ditëve. Fillimisht më 9 shtator do të luhet një takim miqësor midis 19-vjeçarëve të Shqipërisë dhe atyre të Azerbajxhanit. Më pas, më 12 shtator do të zbresin në fushë Shpresat, pasi do të zhvillojnë përballjen për Kualifikuese me ekipin e Rumanisë.
Mirëpo, në mesjavë rikthehet kampionati shqiptar dhe në “Elbasan Arena” janë dy skuadra që luajnë si pritëse: Dinamo dhe Elbasani. Për verdheblutë është caktuar 14 shtatori që të luajë me Vorën, ndërsa për Dinamon me Kukësin ende jo, të paktën zyrtarisht nuk ka asnjë njoftim.
Gjasat janë që të luajnë më 13 shtator, gjithnjë nëse nuk do të ketë një marrëveshje për ta dërguar në një stadium tjetër, pasi ekziston si mundësi, meqenëse stadiumi ka një kalendar të ngjeshur.
FRIKA – Në këtë pikë, në Elbasan shpresojnë që ta gjejnë fushën në kushtet optimale për t’u përballur me Vorën. Katër ndeshje brenda gjashtë ditëve janë vërtet shumë, edhe për një impiant që duket se nuk ka asnjëherë probleme me terrenin. Për momentin në Elbasan i gëzohen faktit se nuk do të largohen më nga shtëpia e tyre dhe se do të kenë prioritet karshi çdo skuadre tjetër për të luajtur në “Elbasan Arena”.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL