Endri Shabani i është kundërpërgjigjur menjëherë akuzave të Adriatik Lapajt i cili reagoi pas kërkesës që daja i “aleatit” të tij në zgjedhje, Endri Shabanit paraqiti në KQZ ku dhe kërkon mandatin e deputetit.
Përmes një postimi në “Facebook”, Shabani shkruan se ndjen detyrim ndaj qytetarëve që të japë një shpjegim, ndërsa për ‘’tikun’’ shprehet se ndjen shumë keqardhje për këtë reagim të nxituar.
Kujtojmë që Lapaj tha se ka qenë vetë Endri Shabani ai i cili para një populli të tërë doli garant për familjarët e vet të cilët për shkak të formulës i futën në listat e mbyllura.
“Keqardhje për Tikun!
Ndjej keqardhje nga deklarata e nxituar e Tikut ku më shpall mua armikun e klasës. Duhet ta kisha menduar se pas Arlindit dhe Agronit, kisha mbetur vetëm unë nga fronti i të rinjve.
Gjithësesi për interes publik, dua të sqaroj tre gjëra.
E para, mandati i koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet nuk ka qënë kurrë i Adriatikut. Tiku mund të jetë mësuar të përvetësojë punën e të tjerëve, por pa votat e Nismës Thurje, apo pa votat e mia, ai nuk do të ishte bërë kurrë deputet!!!
Në këto zgjedhje për të marrë një mandat në Tiranë duheshin 13500 vota. Adriatiku ka marrë 6436 vota. Kështuqë, ato 7000 votat e tjera janë marrë nga kandidatë të tjerë.
Pra nëse nuk do ishim në koalicion, Shqipëria Bëhet do ishte jashtë Parlamentit. Kështuqë në vend që të më sulmojë Tiku duhet të më falenderojë!
E dyta, Zeqiri e ka ndihmuar Tikun të bëhet burrë. Në këto zgjedhje ka patur vetëm një njeri që ka shpallur publikisht një angazhim përballë aktivistëve dhe votuesve, dhe ai është lideri i koalicionit.
Me zë dhe me figurë, në disa media, Adriatik Lapaj është zotuar publikisht, se nëse fitonim vetëm një mandat, ai mandat nuk do t’i takonte atij. Kjo deklaratë shërbente për të motivuar aktivistët që të punonin për interesin e përbashkët, dhe jo për të bërë Tikun deputet. Pas zgjedhjeve Adriatiku e drodhi, dhe kjo nuk u pëlqye nga shumë prej nesh, përfshi këtu edhe Zeqirin.
Duke besuar që “burri mbahet nga fjala” Zeqiri e ka ndihmuar Tikun të mbajë fjalën dhe t’ia kalojë mandatin dikujt tjetër nga partia e tij.
E treta, nëse Tiku nuk mban përgjegjësi për vjerrin e tij, përse duhet të mbaj unë përgjegjësi për dajën tim? Prej kohësh kemi pranuar që përgjegjësia është individuale.
Dhe në fakt, si njeriu që firmosi listat, dhe që i vonoi dëri në 12 të natës, Tiku ka përgjegjësinë totale që gabimisht e futi Zeqirin në listë të mbyllur, duke e zëvendësuar me Majlina Zikon. Tani më kërkon mua përgjegjësi për një çorbë që e gatoi vetë!
Zeqiri është 60 vjeç burrë, dhe nuk mund të përdoret as nga unë, por as nga Adriatiku. Ai ka dinjitetin e tij, dhe kur pa që Adriatiku po luante lojra, reagoi. Ndërkohë që unë përpiqesha të qetësoja situatën, Tiku zgjodhi rrugën e presionit. Dhe kur Zeqiri
kur u përball me kërcenime ndaj fëmijëve të tij, ai vendosi të mos kthehej mbrapsh.
Të jem i sinqertë, unë nuk kam qënë dakord me sjelljen e Zeqirit, por kur shoh se si akoma pa pushtet këta janë të gatshëm të të kërcënojnë fëmijët nuk di çfarë të them.
Në fund të ditës, ne nuk po luftojmë që të zëvendësojmë ujqërit e vjetër me këlyshë të rinj që të vrasin për pushtet. Po luftojmë që politika të ketë një tjetër fytyrë: të ndershmërisë dhe fjalës së mbajtur. Dhe kjo betejë nuk do të ndalet nga ata që duan të kapin karrige, por do të fitohet nga ata që mbajnë fjalën edhe kur karrigia u kalon pranë.