Kërcënohet Albin Kurti, forca të shumta sigurie para shtëpisë së tij

0
261

Është kërcënuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu i cili ka konfirmuar për mediat në Kosovë, se ndaj Kurtit kanë ardhur kërcënime.

Ndërkohë pranë banesës së Kurtit, kanë shkuar forca të shumta policore të cilët po rrinë në gatishmëri për çdo situatë.

“Kryeministri Kurti është kërcënuar. Për këtë arsye, si masë e kujdesit të shtuar, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë” tha Kryeziu.

Ai shtoi se “Institucionet e hetuesisë dhe sigurisë tashmë janë duke bërë punën e tyre”.

“Ato bëjnë vlerësimet e nevojshme dhe ndërmarrin masat përkatëse. Në anën tjetër, kryeministri vazhdon angazhimin e tij të rregullt”, tha Kryeziu.

Nuk është bërë e ditur për çfarë kërcënimi bëhet fjalë, e as kush e ka kërcënuar kryeministrin.