Kërkesa për punonjës, në rritje, si brenda edhe jashtë vendit

0
3

Këtë vit është vënë re rritje e lehtë e kërkesës për punonjës të huaj, veçanërisht në ndërtim, hoteleri dhe industri përpunuese, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore vendase në disa profesione. Nga ana tjetër ka një rritje të qëndrueshme nga jashtë për punonjës shqiptarë nga Gjermania, Italia dhe vendet nordike.

Shqipëria po shihet si një burim i rëndësishëm i fuqisë punëtore të përgatitur, tha znj. Irida Vela, eksperte në fushën e burimeve njerëzore. Në një intervistë për “Monitor”, ajo shtjelloi tendencat e fundit në tregun e punës dhe perspektivat

Znj. Vela, nisur nga përvoja juaj në fushën e burimeve njerëzore, cilat janë tendencat në tregun shqiptar të punës në vitet e fundit?

Në vitet e fundit, kemi parë zhvillim të ndjeshëm të tregut të punës në Shqipëri, sidomos në drejtim të dixhitalizimit, rritjes së kërkesës për profesionistë të specializuar dhe orientimit drejt punës fleksibël apo në distancë.

Ka gjithashtu një përpjekje më të madhe nga kompanitë për të krijuar kultura organizative të shëndetshme dhe për të investuar në zhvillimin e punonjësve të tyre.

Cilat janë shërbimet më të kërkuara nga klientët tuaj dhe pse?

Kryesisht kërkohet rekrutimi i pozicioneve të thjeshta deri te talente të kualifikuar, trajnimet onboard, si dhe konsulencë për strukturimin e Departamentit të Burimeve Njerëzore.

Këto shërbime janë kërkuar për të përballuar konkurrencën në treg dhe për të ndërtuar ekipe të qëndrueshme e produktive që do të ofrojnë stabilitet, i cili lidhet ngushtë me ndërtimin e strategjive dhe zhvillimin e biznesit.

Duhet nënvizuar që kompani të ndryshme vendase në industri të ndryshme, por kryesisht prodhimi, janë duke zgjeruar tregun e tyre dhe në rajon, kryesisht në Ballkan.

Për cilat profesione ka më shumë nevojë tregu shqiptar dhe cilët janë sektorët me kërkesën më të madhe?

Kompania të cilën unë drejtoj ka një portofol klientësh ku përfshin kryesisht bizneset më të mëdha në vend në industri të ndryshme. Duhet nënvizuar që në tregun shqiptar, jo çdo kompani ka vizionin e duhur të mirëpresë staf të huaj.

Ne jemi këtu që të orientojmë dhe të përgatisim edhe kompanitë, që nuk kanë struktura të burimeve njerëzore të ndërtuara brenda tyre.

Ne ndihmojmë në ndërtimin e strukturave të qarta, lehtësojmë proceset dhe ndërtojmë praktika ku respektohen politikat sociale të stafit, sidomos atij të huaj, për të cilin mendojmë se është më vulnerabël.

Sektorët që kanë kërkesa të vazhdueshme janë teknologjia, shëndetësia, turizmi, prodhimi dhe ndërtimi. Duke pasur në konsideratë që ne ofrojmë të njëjtat shërbime dhe në Rajon, duhet nënvizuar që kemi një situatë të ngjashme në të gjithë Ballkanin.

Si ka ndryshuar kërkesa për punonjës të huaj këtë vit krahasuar me 2024 dhe çfarë prisni për të ardhmen?

Ka pasur rritje të lehtë në kërkesën për punonjës të huaj, veçanërisht në ndërtim, hoteleri dhe industri përpunuese, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore vendase në disa profesione.

Ky trend pritet të vazhdojë në rritje për shkak të zhvillimit të sektorëve të mëdhenj të ekonomisë dhe mungesës së ofertës lokale.

Si ka evoluar kërkesa nga tregu i huaj për punonjës nga Shqipëria dhe çfarë parashikoni?

Ka një rritje të qëndrueshme, sidomos nga Gjermania, Italia dhe vendet nordike. Shqipëria po shihet si një burim i rëndësishëm i fuqisë punëtore të përgatitur mirë, veçanërisht në shëndetësi, teknologji dhe profesione të kualifikuara.

Kjo prirje pritet të vazhdojë, por rrezikon të përkeqësojë mungesën e profesionistëve brenda vendit.

Cilat profesione po kërkohen më shumë për jashtë Shqipërisë dhe në cilat vende?

Infermierët, mjekët, IT specialistët, ndihmësit socialë dhe punëtorët sezonalë (në ndërtim, bujqësi, turizëm) janë më të kërkuarit. Vendet që kërkojnë më shumë punonjës shqiptarë janë Gjermania, Austria, Italia, Suedia.

Si po ecin trendet e pagave brenda dhe jashtë vendit? Cilat profesione kanë më shumë perspektivë?

Në Shqipëri, pagat po rriten ngadalë, më së shumti në sektorët e IT-së, bankave dhe prodhimit. Jashtë vendit, pagat për profesionet e përmendura janë shumë konkurruese dhe shpesh shoqërohen me përfitime të tjera.

Profesionet me perspektivë janë ato në teknologji, analiza të të dhënave, kujdes shëndetësor dhe menaxhim projektesh.

Së fundmi, a keni një këshillë për politikëbërësit në lidhje me zhvillimin e kapitalit njerëzor në Shqipëri?

Po, rekomandoj një reformë të thellë të sistemit arsimor për ta përafruar me nevojat e tregut të punës. Duhet të rritet bashkëpunimi mes universiteteve dhe biznesit, të mbështetet arsimi profesional dhe të krijohen mekanizma për të mbajtur talentin në vend. Investimi në kapitalin njerëzor është çelësi i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik./ Monitor