Këshilli i Ministrave miraton VENDIMIN: Hiqen vizat për qytetarët shqiptarë dhe kinezë

0
101

Këshilli i Ministrave ka marrë dje një vendim për heqjen reciproke të vizave me Republikën Popullore të Kinës. Vendimi është publikuar dje, pas mbledhjes së kabinetit qeveritar, dhe përfshinë edhe qytetarët e thjeshtë që janë mbajtës të një pasaporte të zakonshme.

“Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Popullore të Kinës, për heqjen reciproke të vizave për mbajtësit e pasaportave të zyrtarëve publikë dhe të pasaportave të zakonshme”, thotë vendimi.

Tashmë, qytetarët shqiptarë dhe ata kinezë nuk do të kenë më nevojë të presin ditë të tëra dhe të mbushin kërkesa e dokumente, për aplikim për viza. Duke qenë se vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë, s’ka më burokraci dhe drejt dy vendeve udhëtohet lehtësisht.

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS POPULLORE TË KINËS, PËR HEQJEN RECIPROKE TË VIZAVE PËR MBAJTËSIT E PASAPORTAVE TË ZYRTARËVE PUBLIKË DHE TË PASAPORTAVE TË ZAKONSHME

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Popullore të Kinës, për heqjen reciproke të vizave për mbajtësit e pasaportave të zyrtarëve publikë dhe të pasaportave të zakonshme, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA