Kësti i dytë i pagesave në kuadër të Skemave Kombëtare të Mbështetjes, AZHBR: Fondet për fermerët janë transferuar në bankë

0
2

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural informon fermerët se kësti i dytë i pagesave në kuadër të Skemave Kombëtare të Mbështetjes për vitin 2025 është kaluar brenda datës 31 dhjetor, deri në orët e vona të ditës, në përputhje me procedurat financiare në fuqi.

Fondet përkatëse tashmë thotë AZHBR janë transferuar në bankat e nivelit të dytë dhe po kalohen gradualisht në llogaritë bankare të fermerëve përfitues.

“Me miratimin e Aktit Normativ nr. 11, datë 19.12.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 115/2024, Për buxhetin e vitit 2025, të ndryshuar”, botuar në Fletoren Zyrtare nr. 239, datë 23.12.2025, buxhetit të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural i është shtuar fondi prej 1,960,406,000 lekësh. Ky fond i shtuar është i destinuar për kryerjen e pagesave në kuadër të Skemave Kombëtare të Mbështetjes, masat 1–8, për vitin 2025.

AZHBR ka punuar pa ndërprerje në ditët e fundit të vitit për të mundësuar kalimin e 50% të mbetur të pagesave, të cilat po shpërndahen aktualisht në llogaritë bankare të rreth 65,000 fermerëve përfitues, përmes bankave të nivelit të dytë.

AZHBR falënderon fermerët për bashkëpunimin dhe durimin e treguar dhe mbetet e angazhuar që edhe në vijim të garantojë mbështetje për sektorin bujqësor dhe zhvillimin rural”, thuhet në njoftim.

Top Channel