Kirurgu shqiptar i cili kreu transplantin e mushkërive të një pacienteje me Covid-19

0
296

Kirurgu Kristo Papa, i cili pak ditë më parë arriti një rezultat të jashtëzakonshëm, kur transplantoi plotësisht mushkëritë e një pacienteje me Covid-19, foli nga Londra në Dita Jonë, ku dha më shumë detaje mbi këtë arritje.

“Me ekipin që unë punoj, realizuam një operacion mjaft të vështirë. Operacioni zgjati rreth 8 orë. Ka qenë një operacion mjaft i vështirë, pasi pacientja ka qenë me probleme kronike të mushkërive, po ashtu, në momentin kur është kryer operacioni, pacientja ka qenë Covid pozitiv dhe ka qenë një rrezik shumë i lartë për pacienten. Megjithatë, kjo ka qenë e vetmja zgjidhje për pacienten tonë. Pavarësisht vështirësive, operacioni u krye me sukses. Problemi më i madh ka qenë Covidi dhe ne nuk kemi pasur më parë këtë lloj patologjie. Aktualisht, pacientja është në reanimacion dhe është në gjendje të qëndrueshme. Fazat e para janë shumë të rëndësishme mbas një transplanti. Aktualisht, përqindja që pacienti të mbijetojë në një vit është gati 98% në qendrën tonë dhe 85% deri në 5 vjet.

Më tej, Papa tregon se në klinikën ku ai punon shkojnë pacientë nga vende të ndryshme të botës. “Ne jemi një ekip, me 4 kolegë të mirë dhe kemi një bashkëpunim mjaft të mirë. Kemi krijuar një ekip dhe aty realizojmë operacionet nga më të vështirat. Në qendrën tonë vijnë pacientë nga Arabia Saudite, nga Katari dhe vende të tjera të botës. Ne kemi kryer edhe një operacion te një 42-vjeçar, ku ndërhyrja ka zgjatur rreth 17 orë. Operacioni doli me sukses dhe pacienti gëzon shëndet të plotë”, tregon mjeku shqiptar.

A2