Kishin vendosur 150 skedina brenda javës, arrestohen dy punonjës të bashkisë Maliq

0
16

Dy punonjës të bashkisë Maliq kanë rënë në prangat e policisë.

Mësohet se arrestimi i dy punonjësve është bërë mbrëmjen e djeshme, pas informacioneve se vendosnin skedina në telefonat e tyre.

Komisariati i Maliqit ka ushtruar kontroll në lokalin e njërit prej të arrestuarve (në pronësi të babait) në fshatin Plasë, ku janë gjetur telefona që kishin vendosur baste sportive. Ndër të tjera, në telefonat e dy të arrestuarve janë gjetur komunikime në whatsapp ku ata vendosnin shuma të ndryshme lekësh në skedina.

Të dy punonjësit e bashkisë me iniciale K.Sh. dhe S.F. u arrestuan pas konstatimit të bisedave dhe fotove të skedinave që i mbanin nëpër telefona, si edhe programit që i vendosnin këto baste sportive.

Për të arrestuarit rëndojnë disa vepra penale si “organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “vënia në dispozicion për lojëra të palejuara” dhe “fshehja e të ardhurave”.