Familja e politikanit demokrat Xhelal Mziu është tronditur në orët e para të mëngjesit të kësaj të premte, në zonën e Institutit, kur në murin rrethues të vilës ku ata banojnë ka shpërthyer një sasi tritoli. Fatmirësisht, nga ngjarja nuk pati persona të lënduar.
Policia njoftoi se shpërthimi është regjistruar rreth orës 00:55 në rrugën “Arjan Sala”, në murin rrethues të banesës së deputetit Xhelal Mziu dhe grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Newsbomb.al sjell pamjet satelitore të vilës së deputetit demokrat, i cili ka shërbyer për 12 vite edhe si kryebashkiak i Kamzës.

Pamjet janë të vitit 2016 dhe në to shihet vila dykatëshe e rrethuar me mur dhe gardh metalik, ndërsa oborri është zbukuruar me lule dhe dy palma. Sot, ato janë rritur dhe e kanë kaluar lartësinë e shtëpisë, ashtu si vlera e saj e cila në letra është deklaruar 57 milionë lekë të vjetra.
Në formularin e vetëdeklarimit të dorëzuar në ILDKPI në vitin 2021, kur Xhelal Mziu u zgjodh për herë të parë deputet në radhët e Partisë Demokratike, ai ka deklaruar se vlera e përafërt e pronës është 57 milionë lekë të vjetra ose 57 mijë euro.
Mirëpo, pavarësisht vetëdeklarimit, prona sipas vlerës së tregut mund të ketë një vlerë të paktën trefishë më të lartë.

Sipas asaj që ka deklaruar Xhelal Mziu në formular (të cilin e gjeni dhe në galerinë më poshtë), deputeti ka një shtëpi banimi 2-katëshe, kati i parë i së cilës është me sipërfaqe 94.5 m dhe vlerë 2.617.680 lekë, ndërtuar nga viti 1993 – 2000.
Burimi i krijimit: Është ndërtuar me të ardhurat nga emigracioni im në Greqi për periudhën korrik-gusht 1992, shtator – dhjetor 1995, nga ndihma e të afërmeve të mi me punë krahu si dhe me vlerat monetare të kursyera nga punësimi im dhe i bashkëshortes në vite.
Ndërkohë, dhjetë vite nga ndërtimi i katit të parë dhe tre vite pasi ishte zgjedhur kryebashkiak i Kamzës, Xhelal Mziu vendos të ndërtojë dhe katin e dytrë të shtëpisë duke e kthyer në një vilë të mirëfilltë, përcjell newsbomb.al.

Sipas vetëdeklarimit, kati i dytë është me sipërfaqe 139.6 m² dhe vlerë 3.100.000 lekë, ndërtuar në vitin 2010.
Burimi i krijimit: Është ndërtuar me kredinë e marrë në *** Bank në vitin 2010, në vlerën 2.800.000 lekë (kredi e cila është shlyer), dhe me të ardhurat e kursyera nga punësimi im dhe i bashkëshortes në vite. Gjatë kësaj periudhe, Xhelal Mziu ishte në mandatin e parë si kryetar i Kamzës, post të cilin e mori për herë të parë në 2007 dhe e dorëzoi në 2019.
)