Një situatë e pazakontë dhe kaotike u regjistrua sot në Kuvend, ku deputetë të Partisë Demokratike tentuan të ulen në vendet e ministrave, duke e kthyer sallën plenare në një skenë tensioni. Gjatë përplasjeve, deputeti Klevis Balliu tentoi të kalonte mbi tavolina, por rrëshqiti dhe ra mbi deputeten Albana Vokshi.
Ndërkohë, një pjesë e deputetëve të opozitës hodhën shishe uji në drejtim të ministrit Niko Peleshi, në një akt që prodhoi më shumë zhurmë se mesazh politik. Garda u detyrua të ndërhyjë për të qetësuar situatën, ndërsa seanca u shoqërua me ndërprerje dhe tensione të vazhdueshme.
Nga foltorja, kryetari i PD-së, Sali Berisha, bëri thirrje të drejtpërdrejta duke kërkuar: “Sillni palloshin dhe Ballukun këtu”, një gjuhë që përforcoi klimën konfliktuale. Një tjetër ditë në Kuvend që konfirmon se opozita po zgjedh aksionin spektakolar, në mungesë të një beteje politike të strukturuar.


