Nëpërmjet portalit e-Albania gratë dhe vajzat do të marrin një njoftim periodik për të kryer kontrollet periodike të gjirit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu i kujtoi çdo gruaje dhe vajze që të mos neglizhojë kontrollin për parandalimin e kancerit të gjirit.
“Tashmë nëpërmjet portalit e-Albania, çdo vajzë apo grua do të njoftohet për të kryer kontrollin periodik të nevojshëm. Kujdesi për shëndetin është prioritet”, tha Koçiu.
Vajzat dhe gratë e moshës 30-50 vjeç do të marrin një mesazh njoftues në llogarinë e tyre në e-Albania, që do t’i kujtojë dhe do t’i ftojë për të bërë ekzaminimet e nevojshme.
E njëjta gjë dhe për gratë nga mosha 50-70 vjeç, me synimin për të bërë periodikisht mamografinë e radhës.
Përgjigjet për mamografitë do të vijnë tek pacientet gjithashtu përmes portalit e-Albania.
Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vijon fushatën ndërgjegjësuese për të mundësuar kontrollin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit në gjirit.
Përveç vizitave falas në 12 spitalet rajonale në gjithë vendin, në kuadër të “Tetorit Rozë” janë krijuar lehtësi për çdo grua në qytet dhe zonat rurale, për të kryer mamografi falas përmes njësive të lëvizshme shëndetësore.