Ilir Meta vijon të apelojë për reflektim nga klasa politike.
Pas një aktiviteti në Elbasan, Meta u shpreh para gazetarëve se, të gjithë janë të shqetësuar për zgjedhjet, përfshirë edhe BE i cili mezi pret çeljen e negociatave.
“Sa i takon çështjes së zgjedhjeve, meqë e keni me shumë shpejtësi dhe me të drejtë, është një shqetësim i përgjithshëm në vendin tonë dhe i vetë BE, i cili mezi pret çeljen e negociatave dhe plotësimin e disa detyrimeve. Le të punojmë të gjithë në shërbim të kësaj bashkëjetese, ka ende kohë për të reflektuar që secili do të jetë pjesë e kontributit të Shqipërisë Evropiane që është jo vetëm një objektiv, por do të jetë një realitet i pashmangshëm, pavarësisht sfidave dhe vështirësive”, tha Meta
Edhe një herë presidenti Meta u shpreh i shqetësuar për largimin e të rinjve nga vendi dhe kërkoi prej organeve kompetente të ofrojnë siguri në mënyrë që shqiptarët ta gjejnë qetësinë në Shqipëri.
“Gjithë shqiptarët duhet t’i shpallin luftë largimit të të rinjve. Kjo kërkon forcimin e bashkëjetësës në vendin tonë në cdo komunitet. Unë sot jam në Elbasan sepse komunitetet dhe besimet në Elbasan janë shembull i bashkëpunimit“, tha kreu i shtetit.
Deklarata e presidentit Meta erdhi nga Elbasani ku ishte i ftuar nga Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar.