Merr fund telenovela Lapaj-Shabani. Puntata e fundit u luajt në Kolegj, me trupën gjykuese që rrëzoi shpresën e fundit të Lapajt për t’u bërë deputet.
U la në fuqi vendimi i KAS, dhe kështu në parlament nuk shkon as Lapaj dhe as familjarja e tij Kleana Xhuveli por 60-vjeçarja Ana Dajko.
Por si nisi kjo telenovelë verore?
Adriatik Lapaj dhe Endrit Shabani, dikur miq dhe pjesë e së njëjtës partie, bashkuan dy partitë e tyre nën moton Shqipëria Bëhet, si dy të rinj që sfidojnë gjithë të vjetrit.
Madje ata kërkuan të sfidojnë edhe sistemin elektoral, duke nënshkruar një marrëveshje, sipas së cilës emrat e listës së mbyllur do të ishin familjarë, kurse kandidatët reale do të garonin në listë të hapur.
Në zgjedhjet e 11 majit ky koalicion mori mbi 60 mijë vota, por vetëm 1 mandat deputeti në Tiranë. Në listën e hapur të Tiranës, më i votuari rezultoi Adriatik Lapaj kurse i dyti Endrit Shabani.
Pak para shpërndarjes së mandateve, befas daja i Endrit Shabanit, Zeqir Kordhoni, kandidat në listën e mbyllur kërkoi mandatin.
Këtu erdhi krisja mes Lapajt dhe Shabanit. Por Lapaj mori masat, i kerkoi familjares se tij Kleana Xhuveli, me siper ne renditje se Zeqir Kordhoni te pranoje mandatin.
Fillimisht KQZ, ia dha mandatin Xhuvelit, por KAS e rrëzoi dhe mandatin ia dha Ana Dajkos, kandidates së parë të listës së mbyllur në Tiranë, e cila gjithësesi i përket partisë së Lapajt dhe jo Shabanit.
Megjithatë, nga gjithë kjo telenovelë pati vetëm një fund, Lapaj dhe Shabani Shqipërinë nuk e ‘bënë’, veten jo e jo, por si dy të rinj, çuan një 60 vjeçare nga Saranda në parlament.
Por ky nuk është i vetmi fund.
Padia e Lapajt ishte dhe ankimimi i fundit për këto zgjedhje. Tashmë 105 ditë nga zgjedhjet e 11 majit, rezultati mund të quhet i certifikuar.
140 deputetët e dalë nga zgjedhjet do të kryejnë betimin me 10 shtator në parlament, me doktor Berishën më të vjetrin.
I takon atij të drejtojë seancën e parë. Ne 2021 nuk e pranoi këtë privilegj, pritet të shihet nëse do e kapë shansin tani si 81 vjeçar./abcnews.al