“Kombëtarja s’është qendër rehabilitimi”, shpërthejnë kritikat për listën e Italisë para Europianit

0
91

Jo vetëm Sylvinho është përballur me kritika për listën paraprake të Europianit. Edhe Luciano Spalletti, trajneri i Italisë, e cila është në grupin B së bashku me Shqipërinë, Spanjën e Kroacinë, ka marrë kritika nga ish-sulmuesi italian Paolo Di Canio.

Ish-sulmuesi i Lazio-s ka kritikuar grumbullimin e mesfushorit të Juventusit, Fagioli, i cili ka qëndruar 8 muaj larg fushave të lojës për shkak të pezullimit si i përfshirë në bastet sportive.

“Kombëtarja nuk është një qendër rehabilitimi. Fagioli u pezullua për përfshirje në baste dhe për më tepër, prej 8 muajsh nuk ka pasur mundësinë të zbresë në fushë. Mendoj se nuk duhej të ishte grumbulluar, por jam i bindur që Spalletti nuk do ta marrë në Gjermani”, u shpreh Di Canio.

Më tej, ai kritikoi edhe Donnarumma-n, i cili e mbylli sezonin në formë jo të mirë te PSG. “Donnarumma më ka zhgënjyer. Prisnim të ishte një Buffon i ri, por ai gabon shpesh dhe për më tepër, nuk di të luajë me këmbë. Vihet nën presion sa herë që shokët i pasojnë topin, duke gabuar shpesh. Nuk ofron aspak garanci. Jam kurioz të shoh Bellanovën, që ka shpejtësi dhe krosime të mira. Gjithashtu, pres shumë nga Jorginho, që ka eksperiencën e duhur për të udhëhequr skuadrën. Njeh mirë gjeometrinë e fushës dhe mund të jetë vendimtar me paraqitjen e tij”, tha Di Canio.