Komisioni i Disiplinës nuk fal Berat Gjimshitin, gjobë 2000 euro përse protestoi kundër vendimit të arbitrit, Atalanta po luante kundër Juventusit

0
190

Mund të jetë ndeshje miqësore, por në Itali e marrin shumë seriozisht atë që ndodh në fushën e lojës, e aq më tepër kur bëhet fjalë për mënyrën se si lojtarët sillen ndaj gjyqtarit.

Një sjellje që është cilësuar të papërshtatshme dhe e ka pësuar edhe Berat Gjimshiti, i cili është gjobitur për sfidën miqësore mes Atalantës dhe Juventusit që u zhvillua pak ditë më parë.

Në sfidën e mbyllur me shifrat 3-1 për Juventusin, bluzinjtë u ankuan shpesh për gjykimin e kryesorit Rosario Abiso. Protesta për të cilat Gjimshiti me sa duket e kaloi cakun e kështu u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 57 të sfidës.

Por jo vetëm kaq, çështja ka shkuar në komisionet disiplinore të Federatës Italiane, të cilat kanë vendosur një gjobë prej 2 mijë eurosh për futbollistin shqiptar për “protesta kundër zyrtarëve të ndeshjeve”. Më keq e ka pësuar trajneri i tij, Xhampiero Gasperini. Ky i fundit u ndëshkua me karton të kuq në atë sfidë, ndërsa mori edhe një gjobë shoqëruese prej 10 mijë eurosh.

(E.H/Faxweb.al)