Kompania kineze e rrjetit social, TikTok, do të kërkojë sqarime nga qeveria Rama në lidhje me vendimin për mbylljen e kësaj platforme në Shqipëri.
Për “Vizion Plus”, zëdhënësi i TikTok-ut sqaroi se vrasja tragjike e 14-vjeçarit pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë nuk ka lidhje me këtë kompani, pasi asnjë prej nxënësve nuk kishte llogari në TikTok.
“Ne kërkojmë një sqarim urgjent nga qeveria shqiptare. Ne nuk gjetëm asnjë provë që autori i krimit apo viktima të kishin llogari në TikTok, dhe raporte të shumta konfirmojnë se videot para këtij incidenti janë postuar në rrjete të tjera sociale dhe jo në TikTok,” deklaroi për “Vizion Plus” zëdhënësi i rrjetit social TikTok.
Një ditë më parë, Kryeministri Edi Rama deklaroi se, prej janarit të vitit 2025, platforma TikTok do të mbyllet për një vit.
Pas vrasjes tragjike të 14-vjeçarit në Tiranë, shefi i qeverisë, Rama, nisi një proces konsultimi me prindërit në të gjithë vendin, dhe mbi 90% kërkuan mbylljen e aksesit në platformën TikTok në Shqipëri.