Konfiskimi i ‘Prestige’ temë debati në Kuvend, deputeti Boçi: Skenat e djeshme shfaqje absurde të luftës së Ramës me median e lirë

0
75

Konfiskimi i dy godinave të Prestige Resort është bërë sot objekt debati në seancën e Kuvendit.

Ishte deputeti i PD-së, Luçiano Boçi ai që mori fjalën i pari në foltoren e Kuvendit ku pohoi se skenat e djeshme te Prestige ishin shfaqje absurde dhe luftë e Ramës ndaj medias së lirë.

“Keni kapur sistemin e drejtësisë. Situata është ajo që pasqyron ky raport i DASH dhe s’keni ku fshiheni. Dje shqiptarët kanë parë në një shfaqje absurde bllokimin dhe luftën që Rama vazhdon ndaj medias së lirë. Tentativa e tij për të bllokuar Prestige Resort, që është vazhdim i luftës ndaj mediave të lirë për Hysenbelliu Group, dhe nuk është e rastit. Është program i detajuar, si synim i mbylljes së gojës së medias për eliminimin e opozitës. E vetmja dritare e lirë e medias sot janë rrjetet sociale. Më shqetësuese është gjendja e drejtësisë. Qeveria ka grabitur 273 mln euro nga inceneratorët, kështu thotë dhe raporti.”, tha Boçi.

Mes të tjerash Boçi theksoi se ishte një datë simbolike me një mesazh cinik sulmi i djeshëm ndaj Prestige, që përkonte me festën e Sulltan Novruzit dhe ditën e ardhjes së PD në qeveri për herë të parë.

Ajo media u godit, në një datë simbolike që ishte 22 mars, festë fetare, por dhe festë politike, ky cinizmi simbolik me data që kanë emocion brenda, kurrë s’duhet t’i cënoni. Por ju nuk pyesni më për asgjë. Jeni gati të godisnin jo vetëm njerëzit, por dhe shpirtrat në festat e tyre.”, shtoi demokrati, të cilit iu ndërpre edhe fjala më pas.