Edhe pse çmimi i paketave të duhanit është rritur nga 10 deri në 30 lekë, në varësi të markës dhe pikës së shitjes, shqiptarët vijojnë të konsumojnë gjithnjë e më shumë cigare. Rritja e akcizës, një taksë që synon të dekurajojë duhanpirjen, duket se nuk po jep efektin e pritur.
“E vërteta është që, edhe pse akciza rritet në mënyrë të vazhdueshme dhe kalendari i rritjes i hartuar nga qeveria ka qenë korrekt, aktualisht nuk ka efekt në vendin tonë. Arsyeja kryesore është ekzistenca e tregtisë së paligjshme. Kur rritet akciza për kompanitë e rregullta, në tregun informal gjenden shumë cigare me çmime më të ulëta.”, tha Roland Shuperka, ekspert për çështjet e duhanit
Si pasojë e këtij fenomeni, më të favorizuarit nga rritja e çmimeve janë pikërisht ata që kanë hequr dorë nga konsumimi i duhanit.
“Tendenca është që pirja e duhanit po zhvendoset te shtresat më vulnerabël, çka nuk e jep efektin e duhur të politikës së rritjes së akcizave. Mos të harrojmë se për shkak të tregtisë së paligjshme, vendi humbet rreth 100 milionë euro në vit.”
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, gjatë vitit të kaluar janë importuar në Shqipëri rreth 3 500 ton cigare, një rritje prej 9% krahasuar me vitin 2024. Paralelisht me rritjen e çmimit të cigareve tradicionale, është rritur edhe akciza për cigaret elektronike apo të ashtuquajturat “vape”, nga 18 lekë për mililitër në 20 lekë për mililitër, duke prekur një numër të lartë të të rinjve që i konsumojnë.
“Produktet e reja të nikotinës konsiderohen si më pak të dëmshme, por dizinformimi rreth tyre është i madh. Përhapja e informacionit të pasaktë mund të çojë në më shumë sëmundje dhe rritje të vdekshmërisë tek individët.”
Paralelisht me duhanin këtë fillim vit cmimet do të rriten edhe për alkolet, kafen dhe karburantin.
/vizionplus.tv


