Pandemia ka sjellë kontraste në sjelljen konsumatore. Në njërin kah, shqiptarët rritën në vitin 2020 shpenzimet për produktet ushqimore të shportës, gatuan më shumë në shtëpi, ndërsa konsumuan më pak pije alkoolike e birrë.
Megjithatë, nuk hoqën dorë nga kafeja. Në kahun tjetër u rritën shitjet e bizhuterive me çmime mbi 1 mijë euro e deri tek orët zvicerane. Rekord arritën dhe produktet e pastrimit. Qëndrimi në shtëpi u shfrytëzua për të përmirësuar mobilimin .
2020-a ishte një vit ndryshe nga të tjerët. Pandemia e koronavirusit ndryshoi sjelljen e konsumatorit dhe tendencën për shpenzime. Sipas të dhënave të INSTAT, në 2020, importet e artikujve ushqimorë, preparateve larëse, mobilieve, bizhuterive u rritën krahasuar me vitin 2019.
Importi i kafesë, cigareve, pijeve alkoolike dhe orëve pësoi rënie. Aktorët kryesorë të tregut raportojnë se në 2020, nga produktet ushqimore u shit më shumë mielli, makaronat, vaji dhe drithërat e shëndetshme. Në konsum shënuan rënie vetëm pijet alkoolike dhe birrat e importit, për shkak të moslejimit të dasmave, festave dhe nga mbyllja e klubeve të natës.
Tendenca e shpenzimeve ishte komplekse, pasi për disa produkte, blerjet nuk duken intuitive me krizën dhe pasigurinë ekonomike të krijuar nga COVID-19. Kërkesa është rritur edhe për bizhuteritë me çmime mbi 1,000 euro dhe ora të shtrenjta zvicerane. Vitin e kaluar janë shitur 5% më shumë bizhuteri se në 2019-n. Mospërputhja e sjelljes së konsumatorit me krizën e COVID-19 shpjegohet nga drejtuesit e argjendarive në Tiranë me ndalimin e lëvizjeve jashtë vendit dhe individët kanë pasur më shumë para në dorë për blerje brenda Shqipërisë.
Sipas kompanive kryesore të tregtisë me shumicë dhe pakicë në vend, shitjet e detergjentëve në 20 ditët e para të marsit shënuan rritje me 50%. Ndryshe nga çfarë ndodhi në fillim të pandemisë nga COVID-19, aktualisht kompanitë raportojnë se në vitin 2020, detergjentët dhe produktet e higjienës në total u shitën 8% më shumë se në 2019. Importet e grupit Sapuni, preparatet parëse, lubrifikues, qirinjtë” arritën një rekord historik në 2020-n, sipas INSTAT.
Produktet e shportës, më shumë bukë, vaj e sheqer
Të dhënat e INSTAT tregojnë se importet për vajin, drithërat dhe sheqernat në vitin 2020 krahasuar me një vit më parë janë rritur. Importi i vajit u rrit 19,6% pas një rënie të lehtë në 2019-n. Edhe importi i drithërave ka qenë me rritje 4,3% në 2020, pas një ulje në 2019. Rritje të importeve shënuan edhe grupi i “sheqernave dhe ëmbëlsirat prej tij” rreth 14% në krahasim me 2019.
Kompanitë më të mëdha të tregtimit të mallrave të shportës thonë se në rritjen e konsumit për 2020 ndikuan muajt e karantinës dhe festat e fundvitit. Në muajt mars-maj, konsumi për shumë produkte bazike shënoi rritje nga 28% deri në 170%. Drejtoresha e financës në kompaninë “Teuta”, Junis Uruçi, tha se konsumi për të gjitha produktet e shportës në 2020 u rrit 15% më shumë se në 2019. Për produktet si miell, maja, vaj dhe drithëra, konsumi më i lartë ishte në muajt e karantinës.
Arsyeja e rritjes së shitjeve, siç shpjegoi zonja Uruçi, ishte frika dhe pasiguria e vazhdimit të karantinës, ndaj dhe familjet shqiptare krijuan rezerva ushqimore. Kërkesa për këto mallra vazhdoi të ishte e madhe edhe në verë, sidomos për produkte si makaronat që shënuan rritje më të lartë të konsumit pas hapjes së ekonomisë. Ndikim në rritjen e konsumit pati edhe hapja e restoranteve dhe hoteleve.
“Rritja vjetore e konsumit të produktit kryesor të kompanisë, që është orizi, në vitin 2020 ishte 2,4% krahasuar me 2019. Ky produkt u konsumua më shumë në muajt mars-maj, me rritje 28% kur popullata ishte në karantinë. Efekti ishte nga izolimi, pasi konsumatorët kanë blerë rezerva më shumë se normalisht. Në muajt e verës pati rënie, për shkak të mungesës së turistëve të huaj. Efekti rënës është edhe sezonal pasi si produkt nuk pëlqehet shumë në këtë stinë. Në tremujorin e fundit të vitit, konsumi i orizit u rrit 2,4%. Në këtë periudhë rritet gjithnjë konsumi i produkteve të shportës, për shkak të festave të fundvitit.
Konsumi i sheqerit u rrit 8% për 2020. Rritja në karantinë ishte rreth 40%. Trendi i konsumit për mallrat e shportës ka qenë i njëjtë, rritje të lartë në karantinë dhe më të lehtë në muajt e verës dhe dimrit”.
Znj. Uruçi tha se konsumi vjetor i vajit shënoi rritje 30%. “Në karantinë, konsumi për vaj luledielli, misri dhe ulliri ishte shumë më tepër se 80%. Shitja më e madhe në karantinë ishte për produktin e miellit, që u rrit 170%. Arsyeja ishte që shumë familje në këtë periudhë filluan të gatuanin vetë bukën, pasi edhe majaja pati rritje 100%.
Për makaronat, rritja më e madhe e konsumit u shënua në muajt e verës me 79%. Hapja e restoranteve dhe hoteleve ndikoi te rritja e kërkesës për këtë produkt. Rritje është shënuar edhe te konsumi i fasuleve dhe thjerrëzave me 39% dhe drithërat e shëndetshme, si: quinoa, kus-kus, bullgur, tërshërë me 74%. Konsumi i biskotave ka shënuar rritje të lehtë me 2%”.
Pijet alkoolike
Në vitin 2020, importet e pijeve alkoolike u ulën 8.2% krahasuar me 2019, sipas INSTAT. Distributorët më të mëdhenj të vendit konfirmojnë rënie të konsumit të pijeve alkoolike dhe birrës së importit. Drejtori i shitjeve në kompaninë “Marketing & Distrubution”, Genti Çela, njohës i shitjeve në terren, tha se arsyeja e rënies së konsumit është mbyllja e klubeve të natës dhe moslejimi i dasmave dhe festave.
Klubet e natës ishin të parat që u mbyllën pas vendosjes së karantinës. Komiteti i Ekspertëve Teknikë ende nuk ka një vendim për hapjen e tyre dhe lejimin e mbajtjes së dasmave apo festave, pasi mbyllja e tyre konsiderohet si shkëputës kryesor i hallkës së zinxhirit të infektimit nga COVID-19.
“Në vitin 2020, të gjitha importet janë rritur nga frika e karantinës në muajt mars-maj dhe shqetësimit të një mbyllje të dytë të ekonomisë në periudhën shtator-tetor. Pas rritjes së importeve, problemi në tregun vendas mbetet te niveli i konsumit, sidomos për birrën e importit dhe pijeve alkoolike që ka qenë me rënie mbi 15%. Konsumi më i lartë i birrave është në dasma (të cilat nuk janë bërë). Pijet alkoolike konsumohen më shumë në lokalet e natës (që kanë qenë mbyllur). Për drithërat, konsumi në 2020 u rrit 4% dhe për detergjentët dhe preparatet larëse 8%”, nënvizoi z. Çela.
E njëjta ecuri për konsumin e këtyre produkteve reflektohet edhe nga kompania “Agna Group”. “Në vitin 2020, konsumi i pijeve alkoolike shënoi rënie për shkak të mbylljes së klubeve të natës. Konsumi i birrës është rritur vetëm për prodhimin vendas.
Birra e markës ‘Elbar’, e prodhuar nga fabrika e pijeve të Glinës, ka pasur rritje të madhe, ndërsa kërkesa për birrë importi pësoi rënie krahasuar me 2019. Te pijet freskuese, pati rënie në pjesën e shitjeve në HoReCa (Hotele-Restorante-Kafene), ndërsa konsumi familjar ishte me rritje për këtë kategori produktesh”, pohuan përfaqësues të kompanisë.
Rritja e importit të vajit
Hungaria, Ukraina, Serbia dhe Bullgaria janë furnizuesit kryesorë të tregut shqiptar me vaj ushqimor luledielli. Më pas renditen edhe shtete të tjera të Europës, si Italia, Gjermania dhe Greqia, por në sasi më të vogël.
Sipas të dhënave të INSTAT, sasia e vajit të importuar në 2020 është rritur 19,6%. Në vitin 2019, vlera totale e importeve ishte rreth 4,9 mld lekë, ndërsa vitin e shkuar ka shënuar një rritje që arrin shifrat e 5,9 mld lekëve. Nga produktet e konsumit, ky është grupi me rritjen më të lartë të importeve.
Ilir Linza, aksioneri kryesor i kompanisë “Erbiron sh.p.k.”, që tregton vaj ushqimor luledielli nën logon “Floriol”, tha se për vitin 2020 importi u rrit 30% më shumë se në 2019.
“Kompania rriti importet për shkak të shtimit të konsumit, sidomos në karantinë, në muajt mars-maj, shitjet u rritën 100% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Mendoj se rritja e konsumit erdhi për shkak të karantinës së detyrueshme të popullatës. Familjet shqiptare shtuan sasinë e gatimeve në shtëpi. Për shkak të frikës nga COVID-19 rritën edhe rezervat ushqimore.
Mbyllja i detyroi të përdorin më tepër ushqim të shëndetshëm, ndryshe nga periudha e normalitetit ku vakti kryesor konsumohej edhe në rrugë me ushqim të shpejtë”, shpjegoi arsyet e rritjes të konsumit z. Linza. Nisur nga ecuria e shitjeve për muajt janar-shkurt 2021, kompania parashikon që edhe këtë vit konsumi i vajit të vazhdojë rritjen. Kompania “Erbiron” ka ekskluzivitetin e importit të vajit “Floriol” që vjen i ambalazhuar në shishe nga Hungaria.
Ndryshe nga importuesit e vajit të gatshëm, situata nuk është pozitive për kompanitë që ambalazhojnë në Shqipëri vajin ushqimor të përpunuar nga jashtë. Për këta operatorë, prej dy vitesh, sasia e vajit të importuar është në rënie krahasuar me 4 vjet më parë kur shitjet ishin më të larta.
Bajram Dine, përfaqësues i kompanisë “Vajra bimore”, që tregton vajin në logon “Fiol”, thotë se arsyeja e rënies të importit është kostoja e lartë nga taksat për të përpunuar në rafineri vajin grexho (të papërpunuar). Z. Dine thotë se shteti nuk subvencionon ose ndihmon me ulje të taksave fabrikat që rafinojnë vajin e papërpunuar. Në këto kushte, për këta operatorë është më e leverdishme të importojnë vaj të gatshëm nga jashtë, të fikin rafineritë dhe në fabrikat e tyre në Shqipëri të bëjnë vetëm ambalazhimin.
“Prej një viti e gjysmë, kompania jonë merr vaj të rafinuar nga jashtë dhe ambalazhohet në shishe në fabrikë. Kemi marrë më parë vaj grexho, por tani nuk importojmë më të tillë, pasi nuk jemi të mbrojtur. Ne kemi investuar miliona euro në fabrikë për rafinimin e vajit ushqimor të lulediellit, por kostoja e zhdoganimit të importit, si për vajin grexho (të papërpunuar) dhe atë të përpunuar është e njëjtë dhe nga shteti nuk asnjë lehtësi për prodhuesit. Rafineria e përpunimit të vajit prej mbi një vit e gjysmë nuk punon, pasi kostot e vënies në punë janë shumë të larta”, pohon përfaqësuesi i kompanisë “Vajra bimore”.
Korrjet e pakta të lulediellit në 2020 ndikuan në rritjen e çmimit në bursa të vajit të përpunuar, duke shtuar edhe më shumë vështirësitë e importuesve shqiptarë. Aktualisht vaji nga jashtë vjen me çmim më të shtrenjtë se në 2019. Duke përfshirë edhe koston e TVSH-së dhe taksën doganore, për kompaninë nuk ishte e leverdishme të rriste sasinë e importit. Operatori parashikon rënie të importeve edhe për 2021.
Tkurret tregu i cigareve
Tregu i cigareve ka reflektuar rënie. Sipas të dhënave të INSTAT, importi për grupin e duhanit dhe zëvendësuesit e përpunuar të tij është tkurrur me 3,5%. Përparim Tushaj, përfaqësues për Shqipërinë i kompanisë “Japan Tobacco International”, tha se në këtë periudhë është shfaqur tendenca e orientimit të konsumatorëve drejt produkteve të lira, si duhan i dredhur, apo duhani i grirë vendas (pa taksë).
Për 2020, kërkesa për cigare pësoi rënie shumë të lehtë 2% krahasuar me 2019, sipas kompanisë “Agna”. Përfaqësuesit e këtij distributori shpjeguan se kjo erdhi për shkak të mbylljes së bareve dhe restoranteve në karantinën e muajve mars-maj dhe mosfunksionimit prej një viti të klubeve të natës.
Shumica e shqiptarëve parapëlqejnë ta pinë duhanin në bare të shoqëruar me kafe apo edhe në klube nate me birrë dhe alkool. Kjo dukuri evidentohet në studimin e Development Solutions Associates (DSA) të botuar në shtator 2020, i financuar nga Universiteti i Illinois në Chicago (UIC) për të kryer kërkime ekonomike mbi taksimin e duhanit në Shqipëri (UIC është një partner i Iniciativës Bloomberg për të zvogëluar përdorimin e duhanit). Në Shqipëri, numri i përgjithshëm i pirësve të duhanit është 800,000 njerëz.
Studimi evidenton se 39% të rriturve janë të ekspozuar ndaj tymit të duhanit në bare apo klube nate, 16% e tyre në restorante dhe 10% në transportin publik. Rreth 19.8% e të rriturve shqiptarë aktualisht pinë cigare të prodhuara, ndërsa 6% e të rriturve pinë cigare të mbështjella me dorë. Mesatarisht, një duhanpirës shqiptar pi 15.8 cigare në ditë. Shumica e duhanpirësve të cigareve të prodhuara (81%) shpenzojnë deri në 20% të të ardhurave familjare mujore për duhan.
Në studim theksohet se katër markat më të blera të cigareve ishin Karelia (41.1%), Marlboro (18.3%), Winston (9.1%) dhe Imperial Classic (6.6%). Shumica e duhanpirësve të duhanit të mbështjellë me dorë (68.3%) blejnë duhan nga prodhuesit privatë (duhan i bërë në shtëpi dhe pa markë).
Pirja e kafesë i kthehet normalitetit
Periudha e karantinës kufizoi lëvizjet e njerëzve, por nuk e largoi dëshirën për të konsumuar kafe, qoftë edhe në kushtet e shtëpisë. Janë të shumtë ata që pa pirë kafenë e mëngjesit nuk e nisin ditën, siç ka shumë të tjerë që konsumojnë disa kafe në ditë. “Në muajt e karantinës është rritur konsumi i kafesë në shtëpi me tableta. Në këtë periudhë janë shitur mjaft makineta kafeje. Pas hapjes së ekonomisë dhe deri në fund të 2020-s, konsumi i kafesë iu kthye trendit normal”, tha drejtori i shitjeve te Marketing & Distribution, z. Genti Çela.
Rreziku i stoqeve
Kriza, për shkak të mungesës së tregut dhe rënieve të shitjeve, po krijon edhe te kompanitë e produkteve ushqimore problemin e stoqeve në magazinë. Stoqet e produktet ushqimore pritet të shkaktojnë dëme të mëdha financiare te kompanitë, pasi shumë produkte si birrat, çokollatat apo produkte të tjera kanë datë skadence. Për disa kompani, në vitin 2020 krijuan probleme skandencat te birrat me shishe të importit dhe ato me fuçi. Për çokollatën, kompanitë shpjeguan se konsumohet më shumë në sezonin vjeshtë-dimër, sesa në verë dhe importi i këtij produkti është më i lartë në këtë periudhë.
Një pjesë të konsiderueshme të importeve të çokollatave e produkteve të saj e zë edhe çokokremi, që rezulton mjaft i konsumuar në Shqipëri edhe pse nuk rekomandohet për shkak të përdorimit të vajit të palmës. Importi zë peshën kryesore, ndërsa prodhimi vendas i çokollatës mbetet informal, i fragmentarizuar (mungojnë fabrikat e mëdha) dhe praktikisht është i pamatshëm.
Duke u nisur nga të dhënat e importit dhe popullsisë, nga përllogaritjet e “Monitor” rezulton se konsumi për frymë i çokollatës ishte rreth 1.4 kg në vit në 2019. Konsumi i çokollatës tek ne mbetet shumë më i ulët në krahasim me shtetet e tjera, sidomos ato të njohura për prodhimin e produktit të ëmbël. Sipas të dhënave të Statisca.com, konsumatori më i madh në botë i çokollatës është Zvicra, me gati 9 kg për frymë në vit. Zvicra është e njohur për çokollatën e saj.
Gjermanët janë gjithashtu të varur pas çokollatës me një konsum për frymë që arrin në 8.4 kg. Edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konsumi mbetet relativisht i lartë, në 5.5 kg për frymë. Shtetet që e përdorin më pak çokollatën janë ato aziatike, teksa në Kinë, konsumi për frymë për vitin 2015 ishte vetëm 200 gramë.
Nuk hiqet dorë nga luksi i bizhuterive
Pandemia nuk e ka zbehur dëshirën për luks dhe “shkëlqim” te shqiptarët. Tregu i shitjes së bizhuterive u zgjerua në 2020. Sipas të dhënave të INSTAT, importi i bizhuterive u rrit 18,4%, pas një rënie që pati në 2019. Ndryshe nga bizhuteritë, importi i orëve në vitin që lamë pas ishte me tkurrje 8,6%. Kjo tendencë u shfaq edhe në 2019.
Agron Gjikondi, i cili zotëron një ndër argjendaritë më të mëdha në vend, pohoi për “Monitor” se shitjet e bizhuterive të markave më të njohura italiane dhe të orëve zvicerane ishin mbi 5% më të larta në 2020 në dyqanin e tij krahasuar me 2019.
“Rritja e shitjeve ka ardhur për shkak të ndalimit të lëvizjeve jashtë vendit. Rreth 30% e blerësve, i blejnë bizhuteritë jashtë vendit dhe për këtë arsye është rritur xhiroja për blerjet brenda vendit. Edhe për muajin janar 2021, ecuria e shitjeve ishte shumë pozitive. Parashikohet që edhe ky vit të mbyllet me rritje të paktën deri në 10% që është maksimumi i shitjeve për këto produkte”. Drejtuesi i argjendarisë “Gjikondi” thotë se edhe investimet për biznesin janë rritur. Ai tha se në dyqan tregtohen vetëm bizhuteri të markave më të njohura italiane me çmim mbi 1 mijë euro dhe ora zvicerane.
Karantina nxiti rimobilimin e shtëpive
Referuar mentalitetit dhe psikologjisë, pa diskutim që shqiptarët janë ende të lidhur me zakonet shoqërore për mobilimin e shtëpisë për raste festash apo gëzimesh familjare. Për këtë periudhë, Ilir Linza, administrator i FPM (Fabrikës të Prodhimit të Mobilieve) që tregton mobilie nën logon “Best Seller”, thotë se vetëm sasia e importuar nga Ukraina ishte deri në 10 kamionë. Rritja e kërkesës, sipas tij, u mbështet edhe nga zgjerimi i sektorit të ndërtimit dhe tendencës në rritje për të pasur një shtëpi të dytë në plazh.
“Në dyqanet e ‘Best Seller’ tregtohen mobilie të prodhuara në vend, por edhe ato të importit. Në tremujorin e fundit të vitit 2020 kemi importuar sasi të lartë mobiliesh nga Ukraina, Polonia dhe Turqia, si librari, vitrinë muri. Kërkesa është rritur për shkak të çmimeve të mobilieve, sidomos këtyre të vogla që kushtojnë deri në 250 euro. Një fabrikë jashtë prodhon 1 mijë copë mobilie në ditë, ndërsa një marangoz vendas e ka të vështirë të realizojë sasi të mëdha me çmime të leverdishme. Te rritja e kërkesës ndikoi edhe mentaliteti ballkanik për ndryshim të mobilieve të shtëpisë në prag festash.
Në dyqanet “Best Seller”, shitjet u rritën 20% në 2020. Parashikohet që edhe në 2021-n, të jenë 40% më të larta se një vit më parë. Tendenca rritëse është shfaqur që në fillim të vitit, ku në janar shitjet u dyfishuan krahasuar me 2020.
Numri i blerësve që kryejnë blerje të rregullta është zgjeruar. Ne presim që të rritemi çdo vit, pasi tendenca e njerëzve është të blejnë mobilie me faturim të rregullt dhe transaksionin ta kryejnë me këste nëpërmjet bankave. Nuk janë të predispozuar të shkojnë te marangozët dhe të blejnë mobilie me shërbim të limituar. Pra kërkojnë kompani serioze dhe ne bëjmë pjesë te markat e besueshme të prodhimit, mungesën e së cilës tregu shqiptar e vuajti për një kohë të gjatë”.
Nga të dhënat e INSTAT, rezulton se në 2020, importi i mobilieve ishte 2,3% më i lartë. Mobiliet ishte një nga sektorët në vend që rikuperoi më shpejt shitjet nga kriza e COVID-19. Kur për gati tre muaj nga pandemia, aktiviteti i kompanive më të mëdha të prodhimit të drurit në Shqipëri u bllokua, shitjet ranë ndjeshëm. Pas hapjes së ekonomisë vërshuan kërkesat për mobilie, dhe kompanitë në atë kohë pohuan se shitjet e tyre u rritën 10%./Dorina Azo/monitor/