Kontrabandë me sende me vlerë/ Kukës, sekuestrohen bizhuteri floriri dhe ora, arrestohet 33-vjeçari

0
2

Goditet një rast i tentativës për të kontrabanduar sende me vlerë. Sekuestrohen bizhuteri floriri dhe ora dore, me vlerë rreth 50 000 euro, dhe një automjet.

Vihet në pranga drejtuesi i automjetit.

Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në vijim të kontrolleve për goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSh-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, automjetin tip “Audi”, me drejtues shtetasin Q. S..

Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën bizhuteri floriri dhe ora dore, të cilat ai nuk i kishte deklaruar sipas ligjit. Bizhuteritë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.

Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin Q. S., 33 vjeç, banues në Gjermani, për veprat penale “Kontrabanda më mallra të tjera” dhe “Mosdeklarimi në kufi, i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Jurdiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.