Një kontratë e dytë autorizon kompaninë koncesionare “Albtek Energy” për të shfrytëzuar për 25 vjet impiantin e prodhimit të energjisë nga trajtimi i mbetjeve urbane në qytetin e Elbasanit, përtej afatit 7-vjeçar të përcaktuar në kontratën e parë koncesionare.
PortaVendore.al ka publikuar dokumentet e kësaj afere, e cila u bashkohet skandaleve në seri që lidhen me inceneratorët në Shqipëri. Për këtë janë hulumtuar faktet se si arriti kompania të fitojë të drejtën për shfrytëzimin e impiantit, përtej periudhës 7-vjeçare të koncesionit.
Në vitin 2014-s, Këshilli Bashkiak i Elbasanit shpalli emergjencën mjedisore për menaxhimin e mbetjeve urbane dhe përmes një procedure të rrallë prokurimi pa pjesëmarrjen e kompanive të tjera, një ofertë e pakërkuar, ofruar nga operatori privat ‘Albtek Energy”, përfundoi me nënshkrimin e kontratës së koncesionit për ndërtimin dhe administrimin e impiantit që do të trajtonte mbetjet urbane në Qarkun e Elbasanit.
Një ditë më pas, kompania siguroi një shumë prej rreth 21 milionë euro nga buxheti i shtetit për ndërtimin e impiantit të koncesionit, çka, sipas kontratës, i përgjigjej kostos totale të investimit.
Ndërkohë, në zyrat e Ministrisë së Energjisë, larg vëmendjes publike, po merrte jetë një procedurë tjetër, nga i njëjti operator privat: “Albtek Energy” po kërkonte ndërtimin e impiantit të prodhimit të energjisë elektrike nga trajtimi i mbetjeve në Elbasan, pjesë e të njëjtit objekt – impiantit të përpunimit të mbetjeve, kontratë e cila u nënshkrua dy javë me pas.
Në kontratën e dytë, “Albtek” fiton të drejtën për ndërtimin e impiantit me rikuperim të energjisë, ndërsa në kontratën e parë, “Albtek” ka fituar të drejtën e ndërtimit të inceneratorit të Elbasanit ku përfshihet edhe ndërtimi impiantit të prodhimit të energjisë.
Ministrisë e Energjitikes ka heshtur ndaj kërkesave për të dhënë sqarime rreth paqartësive me këto dy kontrata.
Sipas dokumenteve, ndërhyrja e qeverisë, që i çeli rrugën kontratës së dytë, ndryshoi afatin kohor mbi të drejtën e kompanisë për të shfrytëzuar impiantin e prodhimit të energjisë elektrike.
Vendimi Nr. 792 miratoi një afat të ri, përtej periudhës 7-vjeçare të kontratës koncesionare: ‘deri në 25 vjet’, duke e favorizuar kompaninë edhe në kontratën e dytë.
Kompania fitoi të drejtën e mëtejshme për shfrytëzimin e impiantit të prodhimit të energjisë, ende pa mbaruar afati 7-vjeçar i kontratës së parë koncesionare, pjesë e së cilës është edhe ky impiant.
Kontrata e dytë i jep kompanisë të drejtën që të përfitojë pothuajse të gjitha të ardhurat që gjenerohen nga shitja e energjisë elektrike të prodhuar nga djegia e mbetjeve urbane dhe vetëm 2% i kthehet ministrisë së Energjisë.
Kontrata e dytë nuk është bërë asnjëherë publike, madje, për të nuk është folur kurrë më parë.
Ajo që dihet është fakti se kontrata e dytë, ashtu si edhe kontrata e parë koncesionare, u bë pa ndonjë garë, pa ndonjë objeksion të mundshëm, përderisa askush nuk u njoftua për zhvillimin e këtyre procedurave.
Kuota 2% e sasisë vjetore të prodhimit që kompania do të paguajë si tarifë koncesionare do të ishte e pranueshme në kushtet kur operatori privat do të kishte ofruar kapitalet e tij për ndërtimin e burimit gjenerues të energjisë. Por në kushtet kur financimi i impiantit ishte shtetëror, kjo tarifë duhej të ishte objekt i tenderimit publik, në një proces të hapur e transparent, në mënyrë që pjesëmarrësit në garë, të mund të ofronin, secili, një kuotë më të lartë, në favor të autoritetit shtetëror.
Për tre vjet, ERE i qëndroi “presionit”, derisa në 30 qershor 2020, gjyqtari Emiljano Ruli, në Gjykatën Administrative arsyetoi ndryshe, duke detyruar ERE-n që t’i caktonte Albtek-ut një çmim për shitjen e energjisë, një vendim që sidoqoftë, binte ndesh me neni 10 të Ligjit “Për Energjinë e Rinovueshme”, i cili kufizonte autoritetin e ERE-s për rregullimin e çmimeve për impiantet e prodhimit të energjisë së rinovueshme nga trajtimi i mbetjeve urbane me fuqi të instaluar, deri 2 MW.
Falë këtij favorizimi, përfitimet prej kontratës së dytë marrin kuptimin përfundimtar.
FAX WEB