Agjencia Shtetërore e Kadastrës njofton të gjithë qytetarët se çdo kontratë qiraje e bërë me akt noterial duhet të regjistrohet brenda 30 ditësh në Regjistrin e Pasurive të Paluajtshme. ASHK sqaron se regjistrimi i kontratës bëhet online nëpërmjet aplikimit në e-Albania.
ASHK thekson se regjistrimi garanton transparencë dhe mbrojtje të të drejtave pronësore, ndërsa të dhënat e kontratës pasqyrohen direkt në kartelën e pasurisë.
“Regjistroni kontratën e qirasë për transparencë dhe siguri pronësore!
Çdo kontratë qiraje e bërë me akt noterial duhet të regjistrohet brenda 30 ditësh në Regjistrin e Pasurive të Paluajtshme!
Të dhënat e kontratës do të pasqyrohen në kartelën e pasurisë, procesi është i shpejtë dhe kryhet përmes portalit e-Albania.
Si të aplikoni:
Identifikohuni në e-Albania.
Zgjidhni shërbimin: “Regjistrimi i kontratës së qirasë/nënqirasë”.
Plotësoni formularin dhe ngarkoni:
Kontratën e qirasë/nënqirasë (bashkë me kartelën dhe hartën kadastrale).
Prokurën, nëse aplikuesi nuk është pronari ose bashkëpronari.
Mandatin e pagesës.
Për lehtësi pagesën mund ta kryeni online në çdo kohë”, thuhet në njoftimin e ASHK.


