Rastet e koronavirusit kanë qenë në rritje gjatë javëve të fundit, dhe shumë lojtarë kanë filluar të preken nga ky virus.
Rasti i fundit i përket klubit të Barcelonës siç mësojmë nga faqja zyrtare e klubit katalan.
Pas kryerjes së testeve për Covid-19 në grupin e nëntë lojtarëve që do të fillojnë sot paraprakisht stërvitjen para-sezonale, njëri prej tyre raportohet se ka rezultuar pozitiv.
Personi i prekur është asimptomatik dhe ka shëndet të mirë, ai do të izolohet në shtëpi. I infektuari është në këtë listë lojtarësh: Pedri, Trincao, Matheus Fernandes, Todibo, Wague, Alená, Rafinha, Miranda dhe Oriol Busquets. Barça shton se lojtari në fjalë nuk ka qenë në kontakt me futbollistët që do të udhëtojnë në Lisbonë për ndeshjet e Ligës së Kampioneve.
Edhe pse sezoni 2019-2020 nuk ka përfunduar, pak ditë më parë Barça njoftoi po nëpërmjet faqes zyrtare nisjen e përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik 2020-2021. Dhe futbollistët të cilët do të nisnin përgatitjet para-sezonale ishin ata të përmendur më lartë.
© SYRI.net